
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, sulmoi të martën atë që e quajti ndërhyrje “të turpshme” të Bashkimit Evropian në zgjedhjet në Hungari, ndërsa njëkohësisht shprehu hapur mbështetjen për kryeministrin Viktor Orban, një aleat i ngushtë si i Presidentit Donald Trump ashtu edhe i Presidentit rus Vladimir Putin, vetëm pak ditë para votimit.
Vizita e Vance në Budapest erdhi përpara zgjedhjeve të së dielës, të cilat sipas sondazheve të pavarura të opinionit publik tregojnë se Orban ka gjasa të humbasë. Udhëtimi – dhe mbështetja e rrallë nga një zyrtar në detyrë i SHBA-së – nënvizoi sa thelbësore e konsideron Trump rizgjedhjen e nacionalistit veteran hungarez.
Vizita theu normat e administratave të mëparshme presidenciale amerikane, të cilat nuk bënin fushatë hapur në zgjedhje të huaja, veçanërisht për një qeveri që ka ruajtur lidhje të ngushta me Putinin. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse mbështetja publike e Vance do ta forconte kandidaturën e Orbanit.
Megjithatë, udhëtimi e vendosi Vance në një rol që është bërë i zakonshëm – duke kritikuar Brukselin në një kohë tensioni në rritje transatlantik për shkak të luftës së Trump kundër Iranit, kritikave ndaj Ukrainës, kërcënimeve për t’u tërhequr nga aleanca e NATO-s dhe dëshirës së deklaruar për të marrë kontrollin e Grenlandës nga Danimarka.
“Ajo që ka ndodhur gjatë kësaj fushate zgjedhore është një nga shembujt më të këqij të ndërhyrjes së huaj në zgjedhje që kam parë ndonjëherë apo edhe kam lexuar,” tha Vance në një konferencë për shtyp.
“Burokratët në Bruksel janë përpjekur të shkatërrojnë ekonominë e Hungarisë. Ata janë përpjekur ta bëjnë Hungarinë më pak të pavarur energjetikisht. Ata janë përpjekur të rrisin kostot për konsumatorët hungarezë, dhe i kanë bërë të gjitha këto sepse e urrejnë këtë njeri (Orban).”
Që nga pushtimi rus i Ukrainës, Bashkimi Evropian është përpjekur të reduktojë ndjeshëm përdorimin e naftës dhe gazit rus, një ndryshim që Budapesti e ka kundërshtuar fort.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha: “Kthimi te importet nga Rusia – një furnizues shumë i pasigurt që po zhvillon një luftë të tmerrshme kundër Ukrainës – do të ishte një gabim strategjik.”
“Zgjedhjet janë zgjedhja e vetme e qytetarëve,” shtoi zëdhënësi.
Vance ka marrë më parë kritika në Evropë, veçanërisht me një fjalim në Mynih në vitin 2025, në të cilin akuzoi shumë qeveri të kontinentit se censurojnë lirinë e shprehjes dhe nuk arrijnë të kontrollojnë emigracionin.

Opozita paralajmëron për “ndërhyrje të huaj”
Vizita e Vance shkaktoi një paralajmërim për “ndërhyrje të huaj” në Hungari nga rivali i Orbanit, Peter Magyar, partia qendër-djathtas Tisza e të cilit sipas sondazheve të pavarura pritet të mundë partinë Fidesz të Orbanit.
“Ky është vendi ynë,” shkroi Magyar në rrjetin X. “Historia hungareze nuk shkruhet në Uashington, Moskë apo Bruksel – ajo shkruhet në rrugët dhe sheshet e Hungarisë.”
Vance, i cili iu bashkua Orbanit në një tubim elektoral që u hap me interpretimin e himnit kombëtar amerikan “The Star-Spangled Banner”, telefonoi Trump nga podiumi dhe arriti të lidhej me të në përpjekjen e dytë. Vance mbajti telefonin e tij pranë mikrofonit ndërsa Trump mbështeti Orbanin, duke thënë se ai po bën “një punë fantastike.”
Zëvendëspresidenti amerikan e përshkroi aleancën mes dy liderëve si “bashkëpunim moral” dhe i tha audiencës se “ne duam që ju të merrni një vendim për të ardhmen tuaj pa forca të jashtme që ju bëjnë presion apo ju tregojnë se çfarë të bëni.”
Orban, i cili po përballet me garën më të vështirë për rizgjedhje në karrierën e tij pas 16 vitesh në pushtet, përshëndeti atë që e quajti “epokë të artë” në marrëdhëniet mes Hungarisë dhe SHBA-së nën udhëheqjen e Trump.
Në disa momente, Vance dukej më i sigurt për shanset elektorale të Orbanit sesa vetë lideri hungarez. Në një moment gjatë një konference të përbashkët për shtyp para tubimit, Vance parashikoi fitoren e Orbanit, por Orban lëvizi dorën dhe ngriti vetullat, duke lënë të kuptohej se mund të humbasë.
Orban ka mbështetur prej kohësh Trumpin
“Demokracia joliberale” e vetëpërshkruar e Orbanit pasqyron tema kyçe të Amerikës në epokën e Trump: politika të ashpra kundër emigracionit, përbuzje ndaj normave liberale, armiqësi ndaj institucioneve globale dhe sulme ndaj mediave, universiteteve dhe organizatave jofitimprurëse. Ai ishte lideri i parë evropian që mbështeti Trump gjatë kandidimit të tij presidencial në vitin 2016.
Orban ka pasur përplasje të gjata me BE-në për një sërë çështjesh, përfshirë Ukrainën. Ai ka refuzuar të dërgojë armë në Ukrainë, ka bllokuar një paketë kredie prej 90 miliardë eurosh nga BE për Kievin dhe thotë se Ukraina nuk mund të bëhet kurrë pjesë e bllokut.
Ai gjithashtu ka akuzuar BE-në dhe Ukrainën se po përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet e së dielës dhe thotë se Ukraina dëshiron të prishë furnizimin energjetik të Hungarisë, gjë që Kievi e mohon.
Vance tha të martën se “elementë brenda shërbimeve të inteligjencës ukrainase” po përpiqeshin “të ndikojnë në rezultatin” e zgjedhjeve në SHBA dhe Hungari, pa paraqitur prova.
Zyrtarë evropianë dhe disa qeveri kanë kritikuar atë që e konsiderojnë si dobësim të normave demokratike në Hungari dhe shtypje të organizatave joqeveritare, shkruan Reuters.
Orban ka ruajtur marrëdhënie të mira me Moskën pavarësisht luftës në Ukrainë dhe thotë se energjia ruse është thelbësore për Hungarinë.