Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Do dorëzojmë amendamente për çmimin e naftës dhe hetim për Autoritetin e Konkurrencës


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se rritja e çmimit të karburanteve po godet rëndë ekonominë familjare në Shqipëri, ndërsa paralajmëroi hapa konkretë në Kuvendin e Shqipërisë për të adresuar situatën.

Berisha bëri të ditur se opozita do të dorëzojë amendamente dhe nisma ligjore, si dhe do të kërkojë hetim për Autoritetin e Konkurrencës, të cilin e akuzoi për përfshirje në këtë çështje.

“Ne në parlament do dorëzojmë amendamente e ligje dhe do kërkojmë hetim për Autoritetin e Konkurrencës që është i zhytur në naftë,” u shpreh ai.

Ai theksoi se kriza e çmimeve është ndikuar edhe nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke e krahasuar efektin me pandeminë COVID-19, por sipas tij, situata në vend përkeqësohet nga politikat e brendshme.

“Nafta qëndron si ndëshkim për pensionistët, por edhe për shqiptarët në përgjithësi,” deklaroi Berisha.

Në vijim të fjalës së tij, ai renditi pasojat ekonomike që, sipas tij, vijnë nga çmimi i lartë i karburantit.

“Ky është një ndëshkim që shkon në miliarda euro. Shkon në 2.6 miliardë euro. Shkon në pamundësi masive të fermerëve për të paguar mjetet e punës. Shkon në çmime të larta transporti, në rritje të çmimit të ushqimeve,” u shpreh ai.

Berisha përsëriti akuzat për kontrabandë, duke theksuar se sasi të mëdha nafte zhduken dhe duke ia atribuar këtë qeverisë.

“Nuk zhduket nafta transit, por zhduken 350 mijë ton naftë kontrabandë. Dhe kontrabandën nuk mund ta bëjë njeri tjetër përveç qeverisë,” tha ai, duke shtuar se sipas tij “nafta e tëra vjen me anije” dhe se “anijet e Libisë vijnë për qeverinë.”

Ai kritikoi gjithashtu nivelin e taksave mbi karburantet, duke e cilësuar si ndër më të lartat.

“Në qoftë se ti e taton 60 përqind të çmimit litrin, ti faktikisht bën një plaçkitje masive të shqiptarëve,” deklaroi Berisha.

Në krahasim me vendet e rajonit, ai përmendi Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, ku sipas tij taksat janë më të ulëta dhe çmimet deri në 40% më të lira.

“1.1 euro dora e shtetit merr për litër nafte nga qytetari. 0.7 u merr në Maqedoni, u merr në Kosovë, dhe çmimet aty janë minimumi 40 përqind më të lira,” përfundoi ai.