Vendosni fjalën kyçe....

Artemis II drejt Hënës, astronautët nisin manovrën vendimtare pas largimit nga orbita e Tokës


Astronautët e misionit Artemis II kanë realizuar me sukses një nga manovrat më të rëndësishme të fluturimit, duke ndezur motorët e anijes dhe duke dalë nga orbita e Tokës drejt Hënës, përcjell DW.

Manovra, e njohur si “translunar injection”, vendos katër astronautët – tre amerikanë dhe një kanadez – në trajektoren për fluturimin e parë njerëzor rreth Hënës pas më shumë se 50 vitesh, që nga misioni Apollo 17 në vitin 1972.

Qendra e kontrollit të misionit në Houston konfirmoi se manovra ishte e suksesshme, duke e cilësuar si një “ndezje të mirë”.

Manovra u krye rreth 25 orë pas nisjes së raketës Space Launch System, e cila transporton kapsulën Orion. Pas kësaj faze, anija do të vazhdojë udhëtimin e saj kryesisht nën ndikimin e mekanikës orbitale.

Astronauti kanadez Jeremy Hansen raportoi se pamja nga hapësira ishte “fenomenale”, ndërsa ekuipazhi ndoqi nga dritaret momentin e largimit nga Toka.

Misioni Artemis II do të zgjasë rreth 10 ditë dhe synon të dërgojë astronautët në një distancë prej rreth 406 mijë kilometrash, duke thyer rekordin e vendosur nga misioni Apollo 13 në vitin 1970.

Ekuipazhi do të kalojë rreth 6,400 kilometra përtej Hënës dhe më pas do të kthehet në Tokë, pa realizuar ulje në sipërfaqen hënore.

Gjatë misionit do të testohen sistemet e kapsulës Orion, e projektuar për eksplorim në hapësirë të thellë, duke hapur rrugën për një ulje të re në Hënë të planifikuar rreth vitit 2028.

Programi Artemis synon gjithashtu misione të ardhshme drejt Marsit, duke shënuar një epokë të re në eksplorimin hapësinor.