Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga njësia nr.14 në Tiranë: Numri i turistëve dhe investimet e huaja në Shqipëri janë shumëfishuar


Partia Socialiste vijoi me procesin e riorganizimit të strukturave në kryeqytet ku këtë herë u ndal te njësia nr. 14.

Të pranishëm në mbledhjen e Asamblesë së PS në njësinë nr.14 ishin kryeministri Edi Rama dhe drejtuesja politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se gjatë kohës që PS ka qenë në qeverisje, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në disa fusha. Sipas kryeministrit, turizmi dhe investimet e huaja në Shqipëri janë shumëfishuar gjatë këtyre viteve.

 “Krijimi i një respekti në arenën ndërkombëtare nuk është çështje thjesht sesi vishesh apo si flet, por është çështje se kë përfaqëson dhe çfarë përfaqëson. Unë besoj se ndryshimi i pozicionit tonë në arenën ndërkombëtare ka ardhur si rezultat i faktit që kemi pasur edhe çfarë të tregojmë, jo thjesht si ta tregojmë. Ne kur kemi filluar këtë punë, Shqipëria kishte 2 milionë turistë, ku numëroheshim edhe ne që ktheheshim nga udhëtimet jashtë shtetit. Pra numëroheshin të gjithë ata që hynin në kufij, pavarësisht se kishin pasaportë shqiptare apo të huaj. Kemi arritur në 12 milionë, me pasaportë të huaj. Në atë kohë mesatarja e investimeve të huaja në Shqipëri ishte 300-400 milionë euro në vit, ndërsa tani kemi kaluar 1.5 miliardë. Të gjitha këto janë para që hyjnë në ekonomi”, tha mes të tjerash kryeministri Rama.