Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se vendi ndodhet në një moment kyç për integrimin në Bashkimin Europian, duke paralajmëruar se kjo mundësi historike nuk duhet humbur.
Gjatë një takimi me Asamblenë e Partisë Socialiste të Shqipërisë në Njësinë 14, Rama theksoi se për herë të parë Shqipëria gëzon mbështetje konkrete nga fuqitë e mëdha.
“Është hera e parë që të gjitha fuqitë e mëdha shqiptarët i kanë me vete në kuptimin konkret, jo me llafe. Asnjëherë nuk e kemi pasur kaq konkrete mundësinë që të bëhemi pjesë e klubit europian,” u shpreh ai.
Kreu i qeverisë nënvizoi se kjo dritare mund të mos zgjasë përgjithmonë, duke paralajmëruar rrezikun e mbylljes së saj nëse nuk shfrytëzohet në kohë.
“Nuk është derë e hapur përgjithmonë. Mund të mbyllet kjo derë dhe ky moment nuk mund të humbet për asnjë arsye në botë,” deklaroi Rama.
Ai nuk kurseu kritikat ndaj opozitës, duke e akuzuar se po dëmton procesin e integrimit përmes qëndrimeve të saj në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, një sjellje e tillë është e paprecedentë. “Të paudhët nuk lënë gjë pa thënë. S’është parë në asnjë vend,” u shpreh kryeministri.
Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur procesi i integrimit europian i Shqipërisë konsiderohet në një fazë të rëndësishme, ndërsa priten hapa të mëtejshëm në negociatat me Bashkimin Europian.
