Vendosni fjalën kyçe....

Kritika të forta ndaj Trump: Fjalimi për Iranin pa strategji daljeje


Fjalimi i presidentit të Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, mbi luftën me Iranin ka shkaktuar reagime të ashpra në SHBA dhe ndërkombëtarisht, për shkak të mungesës së një plani të qartë për përfundimin e konfliktit.

Edhe pse Trump ka deklaruar prej kohësh se lufta po i afrohet fundit, në fjalimin e tij ai u mjaftua me formulimin se “objektivat janë pranë përfundimit”, pa sqaruar se si do të arrihet mbyllja e luftimeve.

Media ndërkombëtare reagoi kritikisht. E përditshmja britanike “Telegraph” shkroi se presidenti “nuk ka më asgjë të re për të thënë për Iranin”, duke e cilësuar fjalimin si një përsëritje të mesazheve të mëparshme pa strategji daljeje. Sipas saj, Trump nuk ofroi as rrugë për përshkallëzim pa rrezikuar jetë amerikane dhe as për de-përshkallëzim të konfliktit, përcjell Ynet.

Edhe “The New York Times” vuri në dukje kontradiktat në deklaratat e tij, duke theksuar se ndërsa Trump e përshkruan ndërhyrjen si sukses të madh, Irani vazhdon të lëshojë raketa dhe kërcënimi nuk është eliminuar. Gazeta theksoi gjithashtu se ai nuk tregoi empati për vështirësitë ekonomike të qytetarëve amerikanë, ndërsa minimizoi ndikimin e rritjes së çmimeve të naftës.

Sipas analizave, pretendimi i Trump se SHBA nuk ka nevojë për naftën nga Gjiri injoron realitetin e tregut global, ku çdo ndërprerje në Ngushticën e Hormuzit ndikon drejtpërdrejt në çmimet ndërkombëtare.

Edhe media të tjera si “Wall Street Journal”, “Washington Post” dhe “Guardian” theksuan mungesën e detajeve konkrete dhe kontradiktat mes deklaratave për sukses dhe paralajmërimeve për vazhdimin apo zgjerimin e operacioneve ushtarake.

Kritika erdhën edhe nga politika amerikane. Senatori Mark Warner kërkoi përgjigje më të qarta për pasojat e luftës, ndërsa senatori Chris Murphy deklaroi se “pas këtij fjalimi, askush nuk e di nëse po shkojmë drejt përshkallëzimit apo uljes së tensioneve”.

Madje edhe brenda radhëve republikane pati reagime kritike. Deputetja Marjorie Taylor Greene u shpreh se nga fjalimi dëgjoi vetëm për luftë dhe asgjë që do të ulte koston e jetesës për qytetarët.

Analistët theksojnë se pa një strategji të qartë daljeje, konflikti rrezikon të zgjasë, ndërsa pasiguria mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme vijon të tronditë tregjet dhe diplomacinë globale.