
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është zhvilluar konferenca përgatitore e mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët përballen me akuza që lidhen me pengim të drejtësisë.
Në seancë, përmes video-lidhjes morën pjesë Thaçi, Kilaj dhe Fazliu, ndërsa Kuçi dhe Smakaj hoqën dorë nga e drejta për të qenë të pranishëm. Gjyqtari i vetëm i çështjes, Christopher Gosnell, sqaroi se një veprim i tillë lejohet nga Rregullorja e Procedurave dhe Provave.
Gjatë konferencës, palët paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me dëshmitarët dhe afatet e mundshme për zhvillimin e seancave të ardhshme. Gjykata njoftoi se në javën që fillon më 7 prill 2026 nuk është planifikuar dëgjimi i asnjë dëshmitari. Sipas gjyqtarit Gosnell, një dëshmitar i mundshëm i mbrojtjes, i identifikuar si DHD 01, mund të paraqitet në seancat e datave 14 dhe 15 prill, në varësi të vendimit mbi kërkesat procedurale që pritet të paraqiten, shkruan Telegrafi.
Gosnell udhëzoi ekipin mbrojtës të Thaçit që deri në orën 16:00 të dorëzojë parashtresa sa më konkrete lidhur me disponueshmërinë e dëshmitarëve, veçanërisht në rastet kur bëhet fjalë për dëshmitarë ekspertë ose për ndryshime në kalendarin e miratuar të gjykimit.
Mbrojtja ka dorëzuar më herët njoftime mbi paraqitjen e provave në këtë proces, i cili lidhet me pretendime për ndërhyrje në administrimin e drejtësisë. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse do të ketë dëshmitarë që do të japin dëshmi gojarisht në sallën e gjyqit.
Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që lidhen me pengimin e drejtësisë. Prokuroria pretendon se disponon prova, përfshirë regjistrime audio nga Qendra e Paraburgimit në Hagë, ndërsa avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar vlefshmërinë e tyre, duke argumentuar se nuk provojnë kryerjen e veprave penale të pretenduara.
Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se gjatë vizitave në Hagë në vitin 2023 kanë dhënë informacione konfidenciale dhe udhëzime dëshmitarëve që lidhen me procesin për krime lufte.
Ndërkohë, Thaçi përballet edhe me një proces tjetër gjyqësor për krime të pretenduara të luftës së bashku me Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Për këtë çështje, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënim me 45 vite burgim për secilin prej tyre, ndërsa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për pikat e aktakuzës.