Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj funksionimit të tregjeve në vend, duke deklaruar se oligopolet po dëmtojnë konkurrencën dhe qytetarët përmes marrëveshjeve të fshehta dhe manipulimit të çmimeve.
Gjatë një deklarate në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, ai theksoi se shteti duhet të mbrojë qytetarët nga, siç u shpreh ai, “abuziviteti potencial” i këtyre praktikave, duke përmendur tregun e hidrokarbureve, mishit dhe sheqerit si shembuj konkretë.
“Oligopoli është një formë e ndërmjetme mes konkurrencës dhe monopolit, por në Shqipëri ai po kthehet në një veprimtari antiqytetare,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, edhe pse këto tregje operojnë me kompani të licencuara, licencat nuk po garantojnë konkurrencë të ndershme, por në shumë raste kompanitë bashkëpunojnë në mënyrë të fshehtë për të eliminuar garën.
Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, duke pretenduar se oligopolet “blejnë favore” në nivelet më të larta të qeverisjes, ndërsa qytetarët përballen me çmime të larta dhe mungesë mbrojtjeje.
Në fokus të kritikave ishin edhe taksat mbi karburantet, të cilat ai i cilësoi ndër më të lartat në Europë, madje edhe në botë.
“Kemi taksën më të lartë për naftën në Europë, ndoshta edhe në botë,” u shpreh ai, duke krahasuar situatën me Shtetet e Bashkuara, ku sipas tij një litër karburant kushton rreth 1 dollar, ndërsa në Shqipëri vetëm taksa arrin në 1.1 dollarë.
Në fund, Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet “partia më pro-biznes”, duke propozuar një model me taksë të sheshtë 10% dhe duke paralajmëruar denoncimin e institucioneve që, sipas tij, janë të kapura nga interesat e oligopoleve.
