
Ish-presidenti Bamir Topi kritikoi kreun e PD-së Berisha teksa tha se ka përfunduar si komunist, gjë që e faktoi me përjashtimin e Ervin Salianjit.
Ish-deputeti demokrat akuzoi Berishën se bashkëpunon me kryeministrin Rama për interesa politike e ekonomike e për ndarjen e përfitimeve që vijnë nga pushteti.
Topi tha gjithashtu se si Rama ashtu edhe Berisha ushtrojnë kontroll të plotë ndaj partive që drejtojnë ndërsa shtoi se pozitat e Berishës në selinë blu janë dobësuar, ashtu si rrethi i kufizuar i bashkëpunëtorëve.
“Berisha duke përjashtuar Salianjin, tregon se ai ka qenë, është sjellë në atë lloj metamorfoze si demokrat dhe në fund fare ka përfunduar prap si komunist. Sistemi i dha mundësi dy partive kryesore që të jenë kontrolluese të të gjithë jetës politike në vend. Mos e harroni këtë. Ka 16 vite që funksionon në këtë mënyrë. Politika shqiptare ka pasur qindra probleme, por nuk ka qenë kurrë kështu. Pra i dha mundësi dy kryetarëve të partive që të formatojnë ekipet e tyre me emërim. Berisha dhe Rama, duke qenë pronarë të partive politike, janë pronarë të jetës politike në vend, janë pronarë të shumë benefiteve të rëndësishme, të pronave, të bizneseve.
Por nga pikëpamja politike, kjo strukje, kjo nevojë për të bërë të tilla veprime, tregon se Sali Berisha me grupin e tij janë në fund, nuk kanë rrugëdalje. Nuk rigjenerojnë më. Berisha nuk njeh më njeri, përveç një grupi të ngushtë që i garanton atij, qoftë me gjuhë urrejtje, qoftë me baltosje, qoftë me ‘të fortë’, pra gjuha politike duhet të jetë gjuhë politike. Ai duhet të hapë lojën, por në subkoshiencën e tij është që ‘unë e kam filluar lojën’, sepse edhe këtu ka një lloj diskutimi nëse e ka filluar ky lojën në 1990, sepse ka qenë dikush tjetër që e ka filluar…Berisha në gjithë këtë periudhë që nuk është e pakët, ka realizuar vetëm autogola në shërbim të ekipit kundërshtar”, tha Topi.