Vendosni fjalën kyçe....

Banka e Shqipërisë: Sistemi financiar i qëndrueshëm, bankat rezistente ndaj rreziqeve


Sistemi financiar në vend vijoi të ishte i qëndrueshëm në fund të vitit 2025, ndërsa sektori bankar mbeti rezistent ndaj rreziqeve.

Ky është vlerësimi i Bankës së Shqipërisë në raportin e fundit të stabilitetit financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025., të miratuar të mërkurën nga Këshilli Mbikëqyrës.

Sipas raportit, aktiviteti i sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme, duke shënuar përshpejtim të zgjerimit. Rritja është mbështetur kryesisht nga depozitat dhe kapitali, të cilat janë orientuar drejt kreditimit dhe investimeve në tituj.

Rezultati financiar neto i sektorit bankar mbeti pozitiv, edhe pse disi më i ulët krahasuar me vitin 2024.

Në vlerësimin e Bankës së Shqipërisë, rreziqet që lidhen me ndërlidhjet mes sektorëve financiarë dhe vetë aktivitetin bankar janë në nivele të kontrolluara. Testet e rezistencës tregojnë se bankat janë të afta të përballojnë goditje të mundshme, por mbetet e nevojshme forcimi i sistemeve të menaxhimit të rrezikut dhe ruajtja e niveleve të përshtatshme të kapitalit.

Në planin ekonomik, zhvillimet ekonomike gjatë gjashtëmujorit të dytë të 2025-ës, ishin pozitive, të mbështetura nga konsumi, investimet dhe performanca e qëndrueshme e turizmit.

Rritja ekonomike u shoqërua me ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit dhe pagave, ndërsa borxhi publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto vijoi të bjerë. Presionet inflacioniste mbetën nën objektivin e Bankës së Shqipërisë, thuhet në raport

Megjithatë, sipas BSH, rreziqet për ekonominë dhe sistemin financiar mbeten të pranishme, kryesisht për shkak të pasigurive nga zhvillimet ndërkombëtare. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë apelon për ruajtjen e rezervave financiare dhe orientimit të kujdesshëm të investimeve.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës miratoi edhe ndryshime në rregulloret për licencimin e bankave, institucioneve financiare jobanka, institucioneve të pagesave dhe parasë elektronike, si dhe shoqërive të kursim-kreditit.

Ndryshimet synojnë forcimin e kuadrit rregullator dhe përputhjen me standardet ndërkombëtare të Moneyval, veçanërisht në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Konkretisht, ato përfshijnë qartësimin e koncepteve si “reputacion i mirë” dhe “pronar përfitues”, forcimin e kërkesave për integritetin e zotëruesve të kapitalit dhe detyrimin për verifikimin e listave të OKB-së dhe Bashkimit Europian.

Këto ndryshime adresojnë gjithashtu procedurat e licencimit, dokumentacionin e nevojshëm dhe rregullat për ndryshimet në strukturën e kapitalit të subjekteve financiare.