Vendosni fjalën kyçe....

Katër ushtarë izraelitë humbin jetën në përleshjet në jug të Libanit



Katër ushtarë të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit janë vrarë gjatë luftimeve në jug të Libanit, ndërsa përplasjet përgjatë kufirit verior vijojnë, përcjell YNet.

Ushtria izraelite identifikoi tre prej viktimave si kapiten Noam Madmoni, 22 vjeç, komandant skuadre në Batalionin e Zbulimit të Nahalit; rreshterin Ben Cohen, 21 vjeç; dhe rreshterin Maxsim Entis, 21 vjeç. Emri i ushtarit të katërt nuk është bërë ende publik.

Sipas IDF-së, një tjetër ushtar është plagosur rëndë, ndërsa një ushtar dhe një rezervist janë plagosur mesatarisht. Të gjithë janë transportuar në spital për trajtim, ndërsa familjet e tyre janë njoftuar.

Ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 18:30, gjatë një përballjeje të afërt me militantë në sektorin perëndimor të jugut të Libanit, në kuadër të operacioneve kundër Hezbollahut.

Sipas ushtrisë izraelite, trupat identifikuan celula të armatosura dhe u përfshinë në shkëmbim zjarri në distancë të afërt, duke neutralizuar sulmuesit. Gjatë evakuimit të të plagosurve, militantët qëlluan me një raketë antitank drejt trupave, por pa shkaktuar viktima të tjera.

Forcat izraelite u përgjigjën me zjarr tankesh dhe sulme ajrore. Brigada Nahal operon nën Divizionin 162, në përpjekje për të vendosur kontroll operacional në jug të Libanit.