Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: E-Albania duhet të quhet ‘Ergys Agasi Albania’, sistemi nuk u shërben qytetarëve



Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza ndaj funksionimit të platformës e-Albania, duke e cilësuar atë si një sistem që nuk u shërben qytetarëve dhe që, sipas tij, përdoret për qëllime abuzive.

Gjatë një deklarate, Berisha u shpreh se aksesi në shërbimet online është i kufizuar, sidomos për banorët në zonat rurale ku interneti mungon ose funksionon dobët. Ai ironizoi platformën duke thënë se “që tani e tutje duhet të quhet Ergys Agasi Albania”.

Sipas tij, është e papranueshme që qytetarët në zona si Pogoni, Valbona apo Thethi të mbështeten tek një sistem online që nuk është funksional për ta. “Të mendosh se do të përfitojë nga e-Albania qytetari në Pogon, Valbonë apo në Theth, apo në zona të tjera ku interneti nuk funksionon në mes të Tiranës dhe funksionoka atyre, do të thotë të tallesh me qytetarët”, u shpreh Berisha.

Ai ngriti shqetësime edhe për centralizimin e shërbimeve publike, duke theksuar se qytetarët hasin vështirësi për të marrë dokumente dhe shërbime bazë.

“Qytetet të tëra janë zbrazur nga shërbimet bazë publike. Për të nxjerrë një dokument në arkivën e qytetit mijëravjeçar, qytetari i Shkodrës duhet të shkojë në Mirditë”, tha ai.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se këto politika kanë si qëllim përfitime të paligjshme, duke shtuar se “grabitja, plaçkitja e pasurive publike, tokave, brigjeve e trojeve është tani përparësi absolute e këtij regjimi”.

Ai kritikoi edhe krijimin e një zyre të vetme kadastrale në kryeqytet, duke e cilësuar këtë si një tjetër hap që rëndon aksesin e qytetarëve në shërbime dhe rrit mundësitë për abuzim.