
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pritet zhvillojë bisedime për zgjatjen e marrëveshjes së furnizimit me gaz natyror, e cila skadon më 31 mars. Ai ka bërë të ditur se diskutimet do zhvillohen të hënën në mëngjes dhe se vendimi mund të sjellë zhvillime të rëndësishme për sigurinë energjetike të vendit.
Vuçiç ka deklaruar më herët se synon të kontaktojë presidentin rus Putin për të biseduar vijimin e kontratës për furnizimin me gaz nga Rusia, një burim kyç energjie për ekonominë serbe. Serbia mbetet shumë e varur nga gazi rus, ndërsa autoritetet në Beograd kanë theksuar rëndësinë e sigurimit të kushteve të favorshme për furnizim të qëndrueshëm.
Sipas raportimeve të fundit, është arritur një marrëveshje për një zgjatje afatshkurtër të kontratës, duke ruajtur volumet dhe çmimet ekzistuese të furnizimit, ndërkohë që Serbia vijon përpjekjet për të diversifikuar burimet energjetike përmes bashkëpunimit me vende të tjera dhe përdorimit të terminaleve LNG në rajon.
Kontrata e tanishme për furnizimin me gaz nga Rusia është thelbësore për stabilitetin energjetik të Serbisë, pasi një pjesë e madhe e konsumit të gazit në vend mbulohet nga importet ruse, të cilat transportohen përmes rrjetit rajonal të gazsjellësve.
Negociatat zhvillohen në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, ku Serbia përpiqet të ekuilibrojë marrëdhëniet tradicionale me Rusinë dhe aspiratat për integrim europian, duke kërkuar njëkohësisht alternativa për furnizim energjetik në të ardhmen, shkruan Tass.