Vendosni fjalën kyçe....

Kurti nis përpjekjet për zgjedhjen e presidentit, paralajmëron takime me opozitën



Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar nisjen e takimeve me liderët e partive opozitare, në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Gjatë një deklarate për mediat, Kurti bëri të ditur se deri më tani nuk ka zhvilluar konsultime të brendshme për shkak të një vizite në Paris, por theksoi se procesi do të nisë shumë shpejt.

“Do të bëj ftesa për takime për kryetarët e partive opozitare që të shohim se cilat janë rrugët që ta arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve”, tha ai.

Sipas tij, fillimisht do të zhvillohen konsultimet e brendshme brenda partisë në pushtet, ndërsa më pas do të dërgohen ftesat zyrtare për opozitën.

Kurti nuk dha detaje konkrete për ofertat që mund të paraqiten në këto takime, ndërsa për mundësinë e tërheqjes së kandidaturave të Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku, u shpreh: “do të shihet se çka është e mundur ligjërisht”.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për një mbështetje më të gjerë në Kuvend për të garantuar suksesin e procesit.

“Duhet të jemi rreth 85 që të jemi të sigurt që ta zgjedhim presidentin aty dhe për këtë do të bëj edhe ftesa dhe do të zhvilloj edhe takime”, shtoi Kurti.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kyç, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur më 25 mars që deputetët kanë edhe 34 ditë kohë për të zgjedhur presidentin, deri më 28 prill. Nëse kjo nuk ndodh, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.

Procesi për zgjedhjen e presidentit kishte ngecur pas dështimit të seancës së 5 marsit për shkak të mungesës së kuorumit. Më pas, presidentja Vjosa Osmani kishte dekretuar shpërndarjen e Kuvendit, por ky vendim u rrëzua nga Kushtetuesja, e cila vlerësoi se nuk kishte prodhuar efekt juridik.

Ndërkohë, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se seanca e ndërprerë do të vijojë sapo të krijohen kushtet për votim.

Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin. Për zgjedhjen kërkohen të paktën 80 deputetë të pranishëm dhe dy të tretat e votave në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota.

Partitë opozitare kanë theksuar se përgjegjësia për sigurimin e shumicës bie mbi mazhorancën, duke kërkuar një marrëveshje politike për të shmangur një krizë të re institucionale.