
Kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi i integrimit në BE po konsolidon institucionet e drejtësisë, duke u dhënë atyre pavarësi të paprecedentë, ndërsa theksoi nevojën për rritjen e profesionalizmit dhe paanshmërisë.
Ai u shpreh se ky proces ndihmon në luftën kundër korrupsionit dhe modernizimin e shtetit, ndërsa nënvizoi sfidat në prokurimin publik dhe kontrollin financiar, ku kërkohet më shumë progres.
“Ky proces konsolidon institucionet e drejtësisë, të cilat kanë kaluar në një fazë tjetër, pasi kanë pavarësinë që nuk e kanë pasur kurrë.
Në procesin e konsolidimit duhet të rrisin profesionalizmin, paanshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve. Ky proces siguron luftën kundër korrupsionit, jo thjesht si një luftë që zhvillohet në frontin midis institucioneve të drejtësisë, por edhe në frontin e modernizimit, të transformimit institucional dhe të realizimit të një kapaciteti të të gjithë shtetit për ta parandaluar që të zhvillohet në hapësira gri ose në mungesë të kanaleve të sigurta institucionale.
Patjetër që barrën më të madhe në këtë proces e ka ekonomia, por pastaj barra bëhet e qartë në gjithë kompleksitetin e vet kur sheh sesi shtrihet te infrastruktura, energjia, financat, bujqësia e me radhë.
Dy gjëra më bien në sy në prezantimin që u bë: e para është domosdoshmëria për të kaluar nga një progres i kufizuar në raport me standardet e BE në një progres të mirë tek prokurimi publik, ku kemi bërë një progres të madh në raport me vetveten dhe rajonin, por nuk jemi ende në kornizën e progresit të mirë dhe plotësimin e këtij aspekti si pjesë e kushteve.
Këtu e sjell në vëmendje se është shumë e rëndësishme që puna e nisur për modernizimin e prokurimit publik me AI duhet të vazhdojë intensivisht dhe të kurorëzohet për të na bërë një vend shembull. Viti 2017 duhet të na gjejë me këtë objektiv të realizuar.
Tjetra është kontrolli financiar, ku edhe progresi është i kufizuar, ndërkohë që reforma për kontrollin financiar është e domosdoshme dhe kemi nisur paraprakisht.
Duke e mbyllur me sfidën e sfidave, që është siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”, tha Rama.