Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po bllokon negociatat e Shqipërisë me Bashkimi Europian, duke mbrojtur korrupsionin.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi deklaroi se procesi i integrimit ka ngecur pasi, sipas tij, qeveria ka zgjedhur të mbrojë figura të përfshira në afera korruptive, duke përmendur rastin e Belinda Balluku.
Ai theksoi se mungesa e miratimit nga vendet anëtare të BE-së për ecurinë e reformave pengon mbylljen e kapitujve të negociatave.
“Negociatat kanë ngecur, sepse Edi Rama ka zgjedhur të mbrojë korrupsionin,” u shpreh Bardhi, duke shtuar se pa besimin e vendeve anëtare, Shqipëria nuk mund të avancojë drejt anëtarësimit.
Bardhi ngriti edhe dy pyetje publike ndaj kryeministrit:
“A ka lidhje ngecja e negociatave me mbrojtjen personale që Edi Rama i bëri Belinda Ballukut, duke zvarritur dhe penguar drejtësinë të hetojë korrupsionin në paradhomën e tij?”
“A ka lidhje ngecja e negociatave me presionin e kryeministrit ndaj drejtësisë dhe nismat e tij për të ndaluar hetimet?”
Sipas tij, anëtarësimi në BE nuk është vetëm çështje reformash në letër, por kërkon zbatim real dhe besim mes palëve.
“Besimi nuk ndërtohet duke penguar hetimin e korrupsionit me votën e mazhorancës në Parlament,” theksoi Bardhi, duke shtuar se përgjegjësia për situatën aktuale bie mbi qeverinë.
Postimi i plotë:
E VËRTETA QË EDI RAMA FSHEH PËR NEGOCIATAT
Edi Rama dhe kryenegociatorja folën sot gjatë për negociatat, por nuk përmendën askund të vërtetën e madhe: negociatat kanë ngecur, sepse Edi Rama ka zgjedhur të mbrojë korrupsionin.
Nga vendet anëtare akoma nuk ka asnjë vendim që të miratojë ecurinë e deritanishme të reformave dhe, pa këtë miratim, ne nuk mbyllim dot asnjë kapitull dhe jo më të realizojmë ambicien për t’u anëtarësuar brenda 4 viteve të ardhshme, siç ka premtuar Kryeministri.
Sot Edi Ramës nuk i takonte të sillej si drejtor drejtorie i Ministrisë së Bujqësisë. As të fshihej pas punës teknike të kryenegociatores. Apo akoma më keq, të linte përgjegjësinë e “sqarimit” të vendeve anëtare tek tre ministra të tij.
Edi Rama duhej të sillej si kryeministër dhe t’u thoshte shqiptarëve pse Mali i Zi po përparon shpejt me negociatat e anëtarësimit, ndërsa Shqipëria ka mbetur në vendnumëro.
Edi Rama duhet t’u japë përgjigje dy pyetjeve të thjeshta:
A ka lidhje ngecja e negociatave me mbrojtjen personale që Edi Rama i bëri Belinda Ballukut, duke zvarritur dhe duke penguar drejtësinë të hetojë korrupsionin në paradhomën e tij?
A ka lidhje ngecja e negociatave me presionin e kryeministrit ndaj drejtësisë dhe nismat e tij antidemokratike për të ndaluar drejtësinë të shkojë deri tek kryeministri?
Anëtarësimi në BE nuk është çështje procedurash teknike. Nuk është çështje reformash në letër. Është çështje e zbatimit të reformave dhe e besimit mes palëve. E sigurt është se besimi nuk ndërtohet duke penguar hetimin e korrupsionit me votën e mazhorancës në Parlament.
Rasti i Belinda Ballukut e ka nxjerrë krejt zbuluar Edi Ramën. Kur ai duhet të zgjidhte Europën, kryeministri nën shantazh zgjodhi të mbrojë veten!
Nëse nesër do të dëgjoni nga Edi Rama ose vartësit e tij se problemi është Europa, mos u besoni!
Problemi i vërtetë i Shqipërisë është Edi Rama!
