Vendosni fjalën kyçe....

Vriten 14 civilë nga bombardimet e forcave paramilitare në Sudanin e Jugut


Të paktën 14 civilë u vranë nga bombardimet me artileri të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në shtetin e Kordofanit Jugor të Sudanit, tha të dielën një grup mjekësor lokal.

Rrjeti i Mjekëve të Sudanit tha në një deklaratë se dy gra dhe pesë fëmijë ishin në mes të viktimave në sulmin që shënjestroi qytetin e Dillingut të shtunën mbrëma, ndërsa 23 persona të tjerë, përfshirë shtatë fëmijë, u plagosën.

Sipas tyre, sulmi shënjestroi zonat e banuara në qytet, duke shkaktuar një numër të lartë viktimash “mes kushteve jashtëzakonisht të vështira humanitare dhe shëndetësore, si dhe mungesës së personelit mjekësor”.

Sipas grupit, qyteti iu nënshtrua bombardimeve të rënda për të dytën ditë radhazi nga RSF dhe Lëvizja Popullore Çlirimtare e Sudanit-Veri (SPLM-N). Dilling-u ndodhet tashmë nën rrethim nga grupi paraushtarak prej më shumë se dy vitesh.

Rrjeti i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave humanitare që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ndaluar shkeljet e RSF-së dhe për të ofruar mbrojtje për civilët në Sudan. Nuk pati asnjë koment nga RSF-ja lidhur me raportin.

Që nga prilli i vitit 2023, ushtria sudaneze dhe RSF-ja janë përfshirë në një konflikt mbi planet për të integruar forcën paraushtarake në ushtri. Luftimet kanë shkaktuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë, me dhjetëra mijëra të vrarë dhe gati 13 milionë njerëz të zhvendosur, shkruan AA.