Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria nis përgatitjet në Valencia, dy mungesa para miqësores me Ukrainën



Kombëtarja e Shqipërisë ka mbërritur të shtunën pasdite në Valencia, ku ka nisur përgatitjet për ndeshjen miqësore të 31 marsit ndaj Ukrainës.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Sylvinho ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në kompleksin Parador de El Saler. Stërvitja është fokusuar në përgatitjen fizike, qarkullimin e topit dhe provat taktike, në funksion të kësaj përballjeje.

Ndërkohë, kuqezinjtë kanë pësuar dy mungesa të rëndësishme. Ylber Ramadani është larguar për arsye familjare, pasi pret të bëhet baba, ndërsa Arlind Ajeti është kthyer te klubi i tij në Turqi për shkak dëmtimi.

Me 24 lojtarë aktualisht në dispozicion dhe vetëm 23 të lejuar për ndeshje, trajneri Sylvinho pritet të marrë një tjetër vendim për listën përfundimtare.

Nga ana tjetër, pritet që disa nga lojtarët që munguan ndaj Polonisë, si Jasir Asani, Nazmi Gripshi dhe Klisman Cake, të jenë të gatshëm për këtë ndeshje.

Miqësorja Ukrainë–Shqipëri do të luhet më 31 mars, në orën 20:45, në stadiumin Estadi Ciutat de València, ku Shqipëria synon të japë sinjale pozitive në prag të sfidave të ardhshme.