
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë podcastit të së dielës “Flasim” se Bordi i Transparencës nuk vendos çmimin e naftës në mënyrë arbitrare dhe nuk mund ta ulë atë duke rrezikuar furnizimin në treg.
Sipas tij, mekanizmi i bordit është i lidhur drejtpërdrejt me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare, duke reflektuar çdo ndryshim në kohë reale dhe duke shmangur abuzimet nga operatorët vendas.
Rama theksoi se, bazuar në të dhënat e bursës së Mesdheut, ditët e fundit është regjistruar një ulje e çmimeve të nënprodukteve të naftës, e cila është reflektuar menjëherë edhe në tregun shqiptar përmes vendimeve të bordit.
“Ajo që është e rëndësishme të kuptohet është se ky mekanizëm lidh drejtpërdrejt çmimet në Shqipëri me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare dhe jo me vendime të njëanshme të operatorëve vendas,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se bordi ka për detyrë të përcaktojë çmimet tavan dhe të garantojë që rritjet e çmimeve të jenë vetëm rezultat i zhvillimeve në tregun global, duke penguar çdo formë abuzimi në dëm të konsumatorëve.
Kryeministri nënvizoi se bordi nuk synon ulje artificiale të çmimeve, por mbikëqyrjen e tyre për të ruajtur balancën mes tregut dhe interesit publik.
“Bordi nuk vendos çmimin e naftës arbitrarisht, nuk ul çmimin duke vënë në rrezik kapacitetet e furnizimit, por mbikëqyr lëvizjen dhe nuk lejon operatorët të luajnë në kurriz të konsumatorëve,” tha ai.
Sipas Ramës, roli i Bordit të Transparencës është të sigurojë transparencë në treg dhe të ndërhyjë me masa të menjëhershme ndaj çdo operatori që shkel rregullat, deri në pezullimin e aktivitetit.
Ai përfundoi duke theksuar se, edhe pse situata varet nga faktorë ndërkombëtarë, qeveria do të bëjë maksimumin për të mbrojtur konsumatorët dhe për të garantuar funksionimin normal të tregut.