Vendosni fjalën kyçe....

Koreja e Veriut teston motor të ri raketor, Kim Jong Un përshpejton programin ushtarak



Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka mbikëqyrur një test tokësor të një motori të përmirësuar raketor me karburant të ngurtë, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e programit strategjik ushtarak.

Sipas agjencisë shtetërore KCNA, cituar nga DW, testi është pjesë e planit pesëvjeçar të mbrojtjes dhe përfshin një motor të përbërë nga fibra karboni me shtytje maksimale prej rreth 2,500 kilonewton. Nuk janë bërë publike detaje mbi vendin apo kohën e testimit.

Ekspertët theksojnë se motorët me shtytje më të lartë dhe karburant të ngurtë mund të përdoren për raketa balistike ndërkontinentale, duke rritur ndjeshëm rrezen e veprimit dhe duke shkurtuar kohën e lëshimit. Kjo i bën ato më të vështira për t’u zbuluar dhe potencialisht të afta për të arritur territorin e Shteteve të Bashkuara.

Testi konsiderohet një hap i rëndësishëm në modernizimin e forcave strategjike të Phenianit dhe demonstron synimin për të zhvilluar armë me kapacitete globale goditëse.

Vetëm disa ditë më parë, Kim Jong Un akuzoi Shtetet e Bashkuara për “terrorizëm shtetëror”, duke iu referuar zhvillimeve në Lindjen e Mesme, ndërsa ritheksoi synimin për të forcuar statusin bërthamor të vendit.

Programi i armëve i Koresë së Veriut është përshpejtuar ndjeshëm që nga dështimi i bisedimeve diplomatike me administratën e Donald Trump në vitin 2019. Megjithatë, në muajt e fundit, Pheniani ka sinjalizuar se mund të rikthehet në tryezën e negociatave nëse Uashingtoni heq dorë nga kërkesat për çarmatimin bërthamor.