Vendosni fjalën kyçe....

Hollivudsat mbështesin protestat kundër Trump-it në gjithë SHBA-në (Video)


Figura të njohura të kinemasë dhe televizionit, të identifikuara kryesisht me qëndrime të majta, morën pjesë ose promovuan protestat “No Kings” të mbajtura të shtunën në qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, ku demonstruesit dolën në rrugë për të protestuar kundër presidentit Donald Trump.

Aktorja e Back to the Future, Lea Thompson, publikoi një video ku inkurajonte mbështetësit të krijonin pankarta dhe të merrnin pjesë në protesta. Në video, Thompson shfaqi disa slogane që kishte përgatitur, si “Barazia nuk është radikale”, “Shëndetësi, jo luftë” dhe “Ta bëjmë bullizmin të papranueshëm sërish”. Ajo shtoi se sipas një teorie, nëse 3.5% e popullsisë proteston në mënyrë të vazhdueshme dhe paqësore, mund të rrëzohen regjime autoritare, duke vlerësuar se kjo përqindje përkthehet në rreth 12 milionë njerëz.

Aktori i The West Wing, Bradley Whitford, deklaroi në rrjetet sociale se ndodhej jashtë vendit për arsye pune, por u bëri thirrje qytetarëve të përdorin të drejtën e tyre kushtetuese për të marrë pjesë në protestat “No Kings”. Në të njëjtën deklaratë ai kritikoi ashpër këshilltarin politik Stephen Miller.

Aktori i Star Wars, Mark Hamill, publikoi në rrjetin Bluesky një përmbledhje të pankartave të preferuara të protestës, duke falënderuar pjesëmarrësit në mbarë botën për mbështetjen ndaj asaj që ai e quajti “Rezistenca”.

Rob Delaney, i njohur për Deadpool 2, publikoi dy fotografi: në njërën bënte shenjën e paqes për protestuesit, ndërsa në tjetrën ngrinte gishtin e mesit për Partinë Republikane dhe figura të tjera politike që ai kritikoi.

Aktorja e Star Trek: Voyager, Jeri Ryan, tha se nuk mund të merrte pjesë personalisht për shkak të angazhimeve profesionale, por do të ndiqte protestat online dhe do të shpërndante informacion.

Robert Picardo, pjesë e Star Trek: Starfleet Academy, publikoi mesazhin “Rezistenca nuk është e kotë”, duke shoqëruar postimin me një imazh të modifikuar të Trump me elemente vizuale nga personazhet Borg të Star Trek.

Aktorja e Rosemary’s Baby, Mia Farrow, njoftoi se do të merrte pjesë në protestën në Nju Jork, duke theksuar se së bashku qytetarët mund të mbrojnë liritë dhe demokracinë amerikane.

Këngëtarja dhe aktorja Barbra Streisand deklaroi se Trump po përpiqet të vendosë emrin e tij në gjithnjë e më shumë institucione, duke shtuar se asnjë president në detyrë nuk është sjellë si monark.

Jamie Lee Curtis, e njohur për Halloween, deklaroi në Instagram para marshimit se qytetarët duhet të mbrojnë liritë kushtetuese, pavarësisht bindjeve partiake.

Aktori Alex Winter nga Bill & Ted’s Excellent Adventure publikoi një mesazh nga Kansas City duke treguar mbështetjen për protestën lokale.

Ethan Embry, pjesë e Scream 7, tha se planifikonte të merrte pjesë në protestë së bashku me një ish-zyrtar 92-vjeçar të administratës Carter, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë dhe vigjilencën.

Aktori i njohur Robert De Niro iu bashkua marshimit në Nju Jork së bashku me Prokuroren e Përgjithshme të shtetit të Nju Jorkut Letitia James dhe aktivistin Al Sharpton. De Niro deklaroi se çdo ditë ndihet i shqetësuar nga zhvillimet politike dhe i cilësoi ato si të papranueshme.

Aktorja Daryl Hannah, e njohur për Kill Bill dhe Blade Runner, publikoi një mesazh ku kërkonte shkarkimin dhe burgosjen e Trump.

Jon Cryer nga Two and a Half Men mori pjesë në një protestë së bashku me aktorin Matt Walsh nga Veep, duke theksuar pjesëmarrjen masive në Kaliforni.

Morgan Fairchild dhe Ed Begley Jr. gjithashtu publikuan mesazhe mbështetjeje për protestat.

Shkencëtari dhe prezantuesi televiziv Bill Nye u intervistua gjatë protestës në Filadelfia, duke deklaruar se vendi po kalon një periudhë të pazakontë dhe shqetësuese, ku sipas tij administrata aktuale po shfrytëzon boshllëqe ligjore dhe po anashkalon traditat institucionale, shkruan Breitbart.