Vendosni fjalën kyçe....

Erisa Xhixho: Rritja e çmimeve nuk justifikohet me luftën, qeveria po dështon



Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve të karburanteve dhe produkteve ushqimore, duke e cilësuar të papërgjegjshëm qëndrimin e qeverisë.

Sipas saj, justifikimi i rritjes së çmimit të naftës deri në 218 lekë për litër me faktorë të jashtëm, si lufta, nuk qëndron, ndërsa thekson se situata ekonomike po rëndohet çdo ditë për qytetarët.

“Në vend që të dalë para qytetarëve për të njoftuar masa konkrete në mbështetje të tyre, bën propagandë boshe. Efekti zinxhir po godet çdo familje shqiptare: çmimet e ushqimeve janë rritur deri në 50% brenda pak ditësh dhe mund të rriten edhe më tej”, shkruan Xhixho.

Në reagimin e saj të plotë, ajo thekson:

“Qeveria po pasurohet në këtë krizë, ndërkohë qytetarët po varfërohen. Kjo është e vërteta! Një kryeministër që lejon rritjen e çmimit të naftës në 218 lekë për litër dhe më pas del e u thotë shqiptarëve që kjo është pasojë e luftës është një kryeministër që ka hequr dorë nga përgjegjësia.

Në vend që të dalë para qytetarëve për të njoftuar masa konkrete në mbështetje të tyre, bën propagandë boshe. Efekti zinxhir po godet çdo familje shqiptare: çmimet e ushqimeve janë rritur deri në 50% brenda pak ditësh dhe mund të rriten edhe më tej.

Justifikimi me “ekonominë e tregut”, por e vërteta është se kjo nuk është më ekonomi tregu. Kjo është një ekonomi e deformuar nga taksat e larta, mungesa e konkurrencës dhe një sistem klientelist që nuk i shërben qytetarëve.

60% e çmimit të naftës janë taksa. Zgjidhja është vetëm ULJA e TAKSAVE që do të ulë çmimin e naftës dhe rrjedhimisht edhe të mallrave dhe shërbimeve. Boll më me propagandë, por ul taksat dhe merr masa me paketa mbështetëse për qytetarët siç kanë bërë vendet e rajonit.”