Një sulm me raketa nga Irani në Izraeli ka lënë të paktën 11 persona të plagosur dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në zonat e banuara në pjesën qendrore të vendit.
Goditja ndodhi në Moshav Eshtaol, pranë Beit Shemesh, ku u identifikuan dy kratera goditjeje rreth 10 metra larg njëri-tjetrit, ndërsa dëmet u përhapën në një rreze prej rreth 150 metrash. Disa banesa dhe automjete u shkatërruan.
Sipas autoriteteve, të 11 të plagosurit kanë marrë lëndime të lehta, kryesisht nga shpërthimi dhe gjatë përpjekjeve për t’u futur në strehime, përcjell Ynet.
Mes tyre përfshihen persona të moshave të ndryshme, të lënduar nga mbetjet e ndërtesave, xhamat e thyer dhe vala goditëse. Disa persona të tjerë morën ndihmë për shkak të gjendjes së ankthit.

Një tjetër raketë goditi një zonë të hapur në Negev, pranë Ashalim, duke krijuar një krater të madh, por pa shkaktuar të lënduar.
Shërbimet e emergjencës, përfshirë ekipet mjekësore, zjarrfikësit dhe njësitë e çminimit, ndërhynë në vendngjarje për të ndihmuar të plagosurit dhe për të kontrolluar zonën për rreziqe të tjera.
Ky sulm ishte pjesë e një vale më të gjerë raketash të lëshuara nga Irani drejt Izraelit gjatë dy javëve të fundit, duke rritur tensionet në rajon.


