Bordi i Transparencës së Hidrokarbureve ka vendosur rritjen e çmimit të karburanteve në vend, duke e çuar naftën në 218 lekë për litër dhe benzinën në 181 lekë për litër.
Nga 203 lekë për litër, nafta është rritur me 15 lekë, ndërsa benzina nga 175 lekë është rritur me 6 lekë në tregun e pakicës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi duke theksuar se rritja e çmimit të karburantit ndikon drejtpërdrejt në koston e jetesës dhe në sektorë të tjerë si bujqësia.
“PD zotohet para shqiptarëve se nuk do të mund të shitet kurrë litër nafte më shtrenjtë se në Kosovë dhe Maqedoni. Ne e ndjekim me shumë shqetësim situatën, ftoj shqiptarët të reagojnë ndaj naftës e cila është një nga faktorët më ndëshkues të familjeve që kanë vetura, por edhe atyre që nuk kanë. Nafta shitet me çmim të njëjtë ose edhe pak më të shtrenjtë se në Zvicër e Suedi, kur atje rrogat janë 6 herë më të larta. Ngrihuni qytetarë, mos pranoni ndëshkimin që shpreh edhe urrejtje. Qytetarët të protestojnë, të reagojnë, të bllokojnë rrugët. Unë jam i bindur që kjo do të ndodhë,” tha ai.
Berisha shtoi se opozita do të vijojë të ndjekë situatën dhe të mbështesë reagimin qytetar ndaj rritjes së çmimeve.
