Vendosni fjalën kyçe....

Hetimi ndaj Ballukut/ GJKKO lejoi këqyrjen, 80 celularë dhe pajisje kompjuterike dorëzohen për ekspertim në laboratorin e SPAK


Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme që i ndezi dritën jeshile SPAK për të këqyrur celularët dhe pajisjet kompjuterike të sekuestruara në muajt dhjetor 2025 dhe janar 2026 në kuadër të hetimeve ndaj ish-zv. kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, janë dorëzuar për ekspertim në laboratorin e Prokurorisë së Posaçme 80 pajisje.

Burime pranë këtij institucionit konfirmojnë se bëhet fjalë për 80 pajisje në total, pasi kanë dyshime të arsyeshme se mund të sigurojnë të dhëna të tjera kundër Ballukut, e cila po hetohet për paracaktim të tenderave në vlera miliona euro.

Në kërkesën dërguar gjykatës së posaçme, prokurorët argumentojnë se këqyrja e pajisejeve duhet lejuar pasi kanë dyshime se ish zyrtarët e ministrisë dhe biznesmenët që i janë nënshtruar kontrollit, kanë komunikuar ndërmjet tyre për paracaktim e tenderave.

Gjykata pasi e shqyrtoi kërkesën lejoi ekspertimin e pajisjeve dhe sipas ligjit brenda 40 ditësh duhet të përfundojë i gjithë procesi. Avokatët e personave të dyshuar, siç janë Erald Elezi, ish administrator i KESH apo Gentian Gjyli ish-kreu i autoritetit rrugor shqiptar si dhe një grup biznesmenësh kanë mundësinë të kundërshtojnë gjyqësisht aktet.

Belinda Balluku, ndërkohë pret shqyrtimin e rekursit nga gjykata e lartë, ku kundërshton masën e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit”.

Ndërsa, pritet ti drejtohet kësaj gjykate me rekurs edhe për masën që mbeti në fuqi ndaj saj atë të pezullimit nga ushtrimi funksioneve. Ish-numri dy i qeverisë akuzohet se ka paracaktuar tenderat për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe të Unazës së Madhe.