
Kreu i PD-së Berisha akuzoi kryeministrin Rama për shpopullimin e vendit.
Ai tha se sipas të dhënave të INSTAT, nga vendi janë larguar nga viti 2014 deri në vitin 2023 rreth 1.1 milionë shqiptarë, rreth 45 për qind e popullsisë.
Gjatë një takimi në selinë blu, se ndër shkaqet kryesore të braktisjes së vendit është varfëria e madhe dhe sistemi oligarkik i ngritur nga qeveria për grabitjen e pasurive të shqiptarëve.
“Sot në propocion ne jemi kombi që braktisim më shumë vendin sa asnjë komb tjetër. Ne qëndrojmë në krye të boshatisjes së vendit. Vetëm në vitet 2014-2023, sipas EUROSTAT, janë larguar nga Shqipria 1 milionë e 99 mijë vetë, këta vetëm në zonën e Shengenit, pa llogaritur qindra mijëra të tjerë që janë larguar drejt Kanadasë, SHBA dhe zonave të tjera të planetit. Në fakt pra i bie mbi 45 përqind e shqiptarëve në 10 vite. Kurrë nuk gjendet një pushtues që të ketë larguar kaq shumë shqiptarë nga Shqipëria. Shqiptarët e larguar nga Shqipëria gjatë këtij regjimi janë dy herë më shumë se ata që u larguan nga Kosova në zbatim të platformës së Vaso Çubrilloviçit. Dhe cilido që lexon elaboratet famëkeqe, gjen se janë përdorur në Shqipëri pothuajse të njëjtat metoda që sugjeronte Vaso Çubrilloviç të përdoreshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Por në themel të të gjithë faktorëve që kanë krijuar këtë goditje të tmerrshme kombëtare, që u hoqën shqiptarëve, të jemi realistë, faktorin më kryesor të përballjes në sukses në ekzistencë me kombet e tjera, faktorin demografik, qëndron varfëria.
Varfëria në një tokë, në një vend, i cili për sipërfaqen që ka, mund të jetë toka dhe vendi i pasurive më të mëdha në Evropë ose kudo më gjerë. Nuk ka një vend të dytë, u them me bindje absolute, por edhe me të dhëna të padiskutueshme, që të ketë pasuritë përrallore të Shqipërisë në një sipërfaqe 28 mijë metra katrorë. Nuk gjendet një vend tjetër. Por ajo që ka ndodhur këto 12 vite, ka ndodhur ajo që në histori ka ndodhur me kombet e kolonializuara. Në vendet e kolonializuara, pasuritë kombëtare shndërroheshin në mallkim kombëtar sepse ato nuk ndryshonin jetën e qytetarëve, por grabiteshin, plaçkiteshin nga kolonizatorët, kurse qytetarët shfrytëzoheshin. Në Shqipëri, e thatë shumë drejt, në këto 13 vite është vendosur sistemi i oligarkisë, është vendosur një sistem plaçkitje universale ku oligarkë dhe qeveritarë në një konglomerat gjigant plaçkisin çdo ditë qytetarët. Është vendosur një sistem i cili të mirat publike, pasuritë publike i shndërron në pasuri të grupeve të vogla dhe ua plaçkit qytetarëve.” – tha Berisha.