
Vetëm atletet femra biologjike, gjinia e të cilave është përcaktuar nga një test i vetëm i skanimit të gjeneve, do të kenë tashmë të drejtë të marrin pjesë në garat e kategorisë femërore në Lojërat Olimpike, tha të enjten Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
Rregullat e reja në thelb ndalojnë atletët transgjinorë të konkurrojnë në garat e kategorisë femërore në Lojërat Olimpike. Më parë, ata kishin të drejtë të konkurronin në Lojëra sapo të merrnin miratimin nga federatat e tyre përkatëse.
Pas një faze konsultimi 18-mujore, IOC zbuloi politikën e saj për Lojërat Olimpike, Lojërat Olimpike Rinore dhe kualifikueset e Lojërave. Pritet gjerësisht që kjo politikë të miratohet nga federatat ndërkombëtare të sportit dhe të bëhet një rregull universal për konkurrentët në sportet elitare femërore, pas viteve të tëra rregullash të fragmentuara që çuan në polemika të mëdha.
Të gjithë atletët që duan të kualifikohen ose të marrin pjesë në garat e kategorisë femërore nga Lojërat Olimpike LA2028 e tutje, do të duhet t’i nënshtrohen një testi të gjenit SRY për të përcaktuar kualifikimin e tyre.
“Bazuar në dëshmitë shkencore, IOC konsideron se prania e gjenit SRY është e fiksuar gjatë gjithë jetës dhe përfaqëson një dëshmi shumë të saktë se një atlet ka përjetuar zhvillim seksual mashkullor,” tha IOC në një deklaratë.
Skanimi do të kryhet përmes pështymës, tamponit të faqes ose mostrës së gjakut dhe është jo-ndërhyrës (unintrusive) krahasuar me metodat e tjera, tha IOC, dhe do të bëhet vetëm një herë në karrierën e atletit. SRY do të thotë “gjeni i rajonit përcaktues të seksit Y”.
Trupi Olimpik kishte refuzuar prej kohësh të zbatonte ndonjë rregull universal për pjesëmarrjen e transgjinorëve në Lojërat Olimpike dhe në vitin 2021 udhëzoi federatat ndërkombëtare të hartonin udhëzimet e tyre.
Presidentja e re e IOC-së, Kirsty Coventry, bëri një kthesë 180 gradë menjëherë pas marrjes së detyrës në qershor të vitit të kaluar, duke thënë se organizata e saj do të merrte udhëheqjen për një qasje të unifikuar.
“Në Lojërat Olimpike, edhe margjinat më të vogla mund të bëjnë diferencën midis fitores dhe humbjes,” tha Coventry. “Pra, është absolutisht e qartë se nuk do të ishte e drejtë që meshkujt biologjikë të konkurrojnë në kategorinë femërore. Përveç kësaj, në disa sporte kjo thjesht nuk do të ishte e sigurt.”
“Unë vërtet besoj se kjo politikë është e bazuar rrënjësisht në shkencë dhe e udhëhequr nga ekspertë mjekësorë,” tha ajo në një konferencë për shtyp. “Ne e dimë që kjo temë është e ndjeshme.”
“Siguria në fushën e lojës dhe drejtësia. Një nga gjërat që na pëlqen të shohim në sport është trajtimi i drejtë dhe i barabartë i të gjithëve në atë fushë loje. Këto janë dy arsye personale për të cilat u ndjeva shumë e vendosur.”
Komiteti Olimpik Francez reagoi ndaj vendimit me një deklaratë ku thuhej: “Testet SRY të referuara ngrenë shqetësime të mëdha etike dhe shkencore për të gjithë ata që preken.”
“Gjithashtu lindin vështirësi praktike, veçanërisht në Francë, ku kryerja e testeve të tilla do të binte ndesh me ligjet e bioetikës dhe kodin civil, të cilët aktualisht ndalojnë përdorimin e tyre në laboratorët në vend.”
Rregullat e reja nuk kanë fuqi prapavepruese (retroaktive) dhe nuk kanë ndikim në sportet bazë apo ato amatore, shkruan Reuters.