Parlamenti Europian ka miratuar një ligj të ri që synon rritjen e kthimit të emigrantëve të parregullt, duke reflektuar një ndryshim të qartë të politikave drejt masa më të ashpra për migracionin në Bashkimi Europian.
Ligji, i njohur si “rregullorja e kthimit”, u miratua me 389 vota pro, 206 kundër dhe 32 abstenime, dhe konsiderohet një element kyç në strategjinë e re të BE-së për të frenuar migracionin e paligjshëm, përcjell Euronews.
Teksti i miratuar lejon shtetet anëtare të ndërtojnë qendra deportimi jashtë territorit të BE-së, në vende të treta me të cilat kanë marrëveshje dypalëshe, duke krijuar të ashtuquajturat “return hubs”. Përmes këtyre marrëveshjeve, emigrantët mund të kthehen edhe në vende që nuk janë vendet e tyre të origjinës.
Ligji parashikon gjithashtu masa më të rrepta, përfshirë zgjatjen e periudhës së ndalimit deri në dy vite dhe vendosjen e ndalimeve të hyrjes në BE për një periudhë të pakufizuar për personat e kthyer, veçanërisht për ata që konsiderohen rrezik për sigurinë.
Një tjetër element i debatueshëm është mundësia për të negociuar me entitete të vendeve të treta që nuk njihen ndërkombëtarisht, çka mund të hapë rrugën për bashkëpunim me regjime jodemokratike për kthimin e emigrantëve.
Projektligji është mbështetur nga grupet konservatore dhe të djathta, ndërsa është kundërshtuar nga grupet e majta, të cilat ngrenë shqetësime për shkeljen e të drejtave themelore të njeriut.
Kritikët argumentojnë se masat e reja mund të çojnë në deportime drejt vendeve ku emigrantët nuk kanë pasur asnjë lidhje më parë, ndërsa mbështetësit theksojnë se politika të tilla janë të domosdoshme për të kontrolluar flukset migratore.
Ligji pritet të diskutohet më tej me shtetet anëtare përpara hyrjes në fuqi, por duke qenë se nuk ka dallime të mëdha mes qëndrimeve, negociatat pritet të përmbyllen pa pengesa të mëdha.
