
Qindra banorë në fshatin Kryezjarr dhe në qendrën e fshatit Tudan, në Njësinë Administrative Tregan të Bashkisë Elbasan, vijojnë të jenë të izoluar, pasi rruga rurale që lidh këto dy komunitete është bllokuar prej fillimit të këtij viti, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve.
Shkak për bllokimin e aksit ka qenë një rrëshqitje masive dheu nga shpatet mbi rrugë, që ndodhi më 7–8 janar dhe dëmtuan rëndë segmentin rrugor. Pas ngjarjes, Agjencia e Shërbimeve Publike Rurale e Bashkisë Elbasan ndërhyri me mjete të rënda, duke punuar për rreth 10 ditë, por për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit, punimet u ndërprenë më 21 janar pas inspektimit nga specialistët e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.
Edhe përpjekjet e mëvonshme për hapjen e rrugës nuk dhanë rezultat. Në datat 10 dhe 11 mars, gjatë një tjetër aksioni për pastrimin e dheut, një eskavator u bllokua papritur nga rrëshqitja e shpatit, duke rrezikuar seriozisht jetën e manovratorit. U desh ndërhyrja e një mjeti tjetër për të nxjerrë eskavatorin nga dherat, çka evidenton nivelin e lartë të rrezikut në zonë.
Sipas konkluzioneve të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, ndërhyrja në këtë segment rrugor është e pamundur pa stabilizuar më parë rrëshqitjen. Ekspertët rekomandojnë pastrimin e materialeve inerte vetëm pas stabilizimit të terrenit, si dhe ndërtimin e një muri mbajtës për të siguruar skarpatën e sipërme dhe për të parandaluar rrëshqitje të tjera në të ardhmen.
Dhjetëra familje që varen nga kjo rrugë mbeten të izoluar, ndërsa autoritetet lokale nënvizojnë nevojën për një zgjidhje të qëndrueshme për të shmangur rreziqe të mëtejshme.