
Debati brenda radhëve të mazhorancës për mungesën në seancën parlamentare për votimin e imunitetit të Belinda Balluku ka sjellë edhe reagimin e Elisa Spiropalit ndaj deklaratës së kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Më herët, Balla u shpreh se për çështjen e mungesës së Spiropalit nuk do të marrë vendim i vetëm, por në konsultim me grupin parlamentar.
“Nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar. Do ta pyes grupin për këtë çështje,” deklaroi ai, pas interesimit të gazetarëve.
Ndërkohë, reagimi i Spiropalit erdhi përmes një statusi në rrjetet sociale, ku ajo shpreh dakordësi me qasjen e Ballës për vendimmarrje kolektive.
“Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë,” u shpreh ajo.
Në këtë mënyrë Spiropali kërkon mbledhjen e grupit parlamentar për një diskutim të plotë mbi situatën.
“Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë,” theksoi ajo.
Ajo nënvizon se vendimmarrja kolektive është thelbësore për funksionimin e grupit parlamentar socialist.
“Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik,” deklaron Spiropali, duke shtuar se çdo qëndrim duhet të vijë pas një debati të hapur dhe të argumentuar.
Postimi i Spiropalit:
Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike.
Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë.
Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë.
Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr.
Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut.