
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka deklaruar se vendi i tij do të forcojë në mënyrë të përhershme statusin si fuqi bërthamore, duke e cilësuar Korenë e Jugut si “armikun e përhershëm”.
Gjatë një fjalimi në Kuvendin Popullor Suprem, Kim theksoi se “dinjiteti i kombit dhe fitorja e tij mund të garantohen vetëm nga fuqia më e madhe”, duke shtuar se Pyongyangu do të vazhdojë të konsolidojë statusin e tij “të pakthyeshëm” si shtet bërthamor.
Ai hodhi poshtë sërish mundësinë e çarmatimit në këmbim të garancive të sigurisë, një kërkesë e vazhdueshme e SHBA-së, duke sinjalizuar vijimësinë e kursit aktual të regjimit, përcjell DW.
Kim përdori gjithashtu konfliktin mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit si shembull, duke argumentuar se fuqia ushtarake mbetet garancia kryesore për mbijetesën e një shteti.
Paralelisht, parlamenti miratoi buxhetin e vitit 2026, i cili parashikon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 15.8% të totalit.
Në të njëjtën kohë, pritet që ndryshimet kushtetuese të përforcojnë qëndrimin e Koresë së Veriut ndaj Koresë së Jugut, duke e përcaktuar atë si një armik të përhershëm, një zhvillim që ka ngjallur shqetësim për stabilitetin në Gadishullin Korean.