Vendosni fjalën kyçe....

BE dhe Australia arrijnë marrëveshje tregtare pas 8 vitesh negociata



Bashkimi Evropian dhe Australia kanë arritur një marrëveshje të re tregtare pas tetë vitesh negociatash, duke forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe strategjik mes dy palëve, përcjell DW.

Marrëveshja u njoftua në Kanberra nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministri australian, Anthony Albanese.

Sipas palëve, kjo marrëveshje është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të diversifikuar tregtinë në një kohë sfidash globale, sidomos në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinën.

Përveç tregtisë, palët ranë dakord edhe për një partneritet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Marrëveshja parashikon heqjen e mbi 99% të tarifave për eksportet e BE-së drejt Australisë, duke kursyer rreth 1 miliard euro në vit për kompanitë evropiane. Nga ana tjetër, Australia do të heqë menjëherë tarifat për produkte si vera, frutat, perimet dhe çokollata, ndërsa për djathrat heqja do të bëhet gradualisht brenda tre viteve.

Një përfitim i rëndësishëm pritet edhe për industrinë automobilistike evropiane, pasi Australia do të rrisë pragun e taksës për makinat luksoze elektrike, duke përjashtuar shumicën e tyre nga kjo taksë.

Gjithashtu, Australia do të ulë tarifat për importin e mineraleve kritike, ndërsa eksportet e BE-së drejt këtij vendi pritet të rriten me rreth 33% në dekadën e ardhshme.

Një nga çështjet më të debatueshme gjatë negociatave ishte aksesimi i tregut evropian për mishin australian. Në marrëveshje parashikohet një kuotë prej 30,600 ton mish viçi, pjesërisht pa tarifa dhe pjesërisht me tarifa të reduktuara, e cila do të zbatohet gradualisht për të mbrojtur fermerët evropianë.

Po ashtu, BE do të lejojë importe të kufizuara të mishit të deles dhe dhisë nga Australia.

Një tjetër pikë e rëndësishme ishte përdorimi i emrave të mbrojtur të produkteve si “feta” apo “prosecco”. Australia do të lejohet t’i përdorë disa prej këtyre emrave në kushte të caktuara dhe për një periudhë të kufizuar.

Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi pasi të miratohet nga Këshilli Evropian dhe Parlamenti australian.