Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një videoje në rrjetet sociale mbi zhvillimet e fundit ekonomike në vend, duke ngritur shqetësimin se modeli aktual po penalizon punën dhe po thellon pabarazitë.
Sipas Tabakut, ekonomia shqiptare është kthyer në një “gjueti shtrigash” ndaj atyre që punojnë, ndërsa të dhënat e fundit buxhetore tregojnë një zhvendosje të rrezikshme të barrës fiskale.
Ajo thekson se të ardhurat nga tatimi mbi punën përbëjnë tashmë rreth 20% të totalit të të ardhurave në buxhet, duke u kthyer në burimin kryesor të financimit publik.
Në të njëjtën kohë, deputetja vëren se të ardhurat nga konsumi janë në rënie, një sinjal që sipas saj tregon qartë se qytetarët po shpenzojnë më pak për shkak të rritjes së çmimeve dhe uljes së fuqisë blerëse.
Tabaku kritikon modelin ekonomik aktual si joproduktiv dhe të orientuar drejt investimeve që, sipas saj, janë të keqmenaxhuara dhe të korruptuara, pa krijuar vlerë të shtuar për ekonominë.
“Kemi një model që nuk prodhon, që nuk nxit sektorët me produktivitet të lartë dhe që ka shteruar burimet e tij,” thekson ajo.
Më tej, ajo nënvizon se ekonomia është kthyer në një sistem që favorizon një pakicë të privilegjuar, ndërsa shumica e qytetarëve përballen me taksa më të larta mbi punën dhe me mungesë mundësish.
Sipas saj, kjo situatë po dëmton drejtpërdrejt klasën e mesme dhe po nxit largimin e qytetarëve nga vendi.
Në përfundim, Tabaku bën thirrje për ndryshim të modelit ekonomik, duke e cilësuar situatën si një emergjencë jo vetëm ekonomike, por edhe demografike për Shqipërinë.
