Vendosni fjalën kyçe....

Meloni humb referendumin për reformën në drejtësi


Votuesit italianë kanë refuzuar propozimin e Giorgia Meloni-t për reformimin e sistemit gjyqësor të vendit, një dështim i turpshëm për kryeministren e krahut të djathtë në betejën e saj të gjatë me gjykatat armiqësore.

Me numërimin e shumicës së votave të hënën, ana e “jo”-së kryesonte me 53.7 për qind, duke përmbyllur një referendum kombëtar të tensionuar mbi reformat kushtetuese, për të cilat kritikët thanë se do të dobësonin pavarësinë gjyqësore. Pjesëmarrja prej rreth 59 për qind ishte shumë më e lartë se parashikimi, një shenjë se italianët dëgjuan thirrjet e opozitës për të mbrojtur shtetin e së drejtës.

Meloni shprehu “keqardhje për një mundësi të humbur për të modernizuar Italinë”, por u zotua të çojë deri në fund pjesën e mbetur të mandatit të saj. “Kjo nuk ndryshon angazhimin tonë për të vazhduaj punën me seriozitet dhe vendosmëri për të mirën e kombit dhe për të nderuar mandatin që na është besuar,” tha ajo në një video të postuar në rrjetet sociale.

Megjithatë, rezultati i jep një goditje kryeministres e cila shpenzoi shumë kapital politik duke bërë fushatë për këto ndryshime. Meloni tha disa herë se nuk do të jepte dorëheqjen nëse votuesit do të refuzonin reformën e drejtësisë, ndryshe nga një prej paraardhësve të saj, Matteo Renzi, i cili u largua pas një referendumi të dështuar.

“Kemi një Meloni të dobësuar, por ajo ka vepruar mjaftueshëm për t’u përgatitur për këtë humbje,” tha Lorenzo Castellani, profesor i shkencave politike në Universitetin Luiss të Romës. Ernesto Di Giovanni, një konsulent politik i pavarur me lidhje me qendrën e djathtë, tha se rezultati duhet të jetë një këmbanë alarmi për qeverinë Meloni, pasi ai ndoshta pasqyron një pakënaqësi më të gjerë publike me performancën e saj përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.

“Kjo votë nuk është një votë mbi frymën e kuptimit të referendumit: ishte një votë besimi ndaj qeverisë,” tha ai. “Ata duhet ta kuptojnë: është një sinjal real për të cilin duhet të shqetësohen.” Ai shtoi se qeveria Meloni kishte gabuar gjithashtu duke kërkuar të ndryshonte kushtetutën përmes një referendumi kombëtar në vend që të hartonte një reformë drejtësie që mund të fitonte mbështetjen e të dyja palëve në parlament.

Elly Schlein, udhëheqësja e Partisë Demokratike të opozitës, e quajti rezultatin një “refuzim të arrogancës së kësaj qeverie” për faktin që tentoi të shtynte përpara “një reformë me të meta dhe të dëmshme që do të kishte prishur ekuilibrin e pushteteve të sanksionuar në kushtetutë”. Giuseppe Conte, lideri i lëvizjes opozitare Pesë Yjet, tha se rezultati pasqyronte gjithashtu zhgënjimin më të gjerë me qeverinë Meloni.

“Njerëzit duan të kthejnë faqe, duke sinjalizuar kërkesën për një lloj tjetër politike — një politikë më të vëmendshme ndaj nevojave të njerëzve dhe më pak të fokusuar në mbrojtjen e politikanëve nga hetimet,” tha ai. “Le të jemi të sinqertë: ky është një njoftim dëbimi për këtë qeveri pas katër vitesh, dhe është një sinjal politik i fortë — shumë i fortë.”

Meloni ka shprehur shpesh zemërimin e saj ndaj gjyqësorit, i cili ka rrëzuar disa nga politikat kryesore të qeverisë së saj, përfshirë përpjekjen e saj për të mbajtur azilkërkuesit në qendra në Shqipëri dhe për të ndërtuar një urë 13 miliardë eurosh drejt Siqilisë.

Ndryshimet synonin të reformonin strukturën vetëqeverisëse të magjistratëve dhe të krijonin një trup të ri disiplinor, diçka që Meloni dhe mbështetësit e tjerë të reformës argumentuan se kërkohej për të garantuar një gjykim të drejtë.

Por kundërshtarët, përfshirë partitë opozitare dhe magjistratët, argumentuan se ndryshimet do të bënin pak për të adresuar çështjen kryesore në Itali — ngadalësinë e procedurave gjyqësore, veçanërisht në çështjet civile. Në vend të kësaj, ata paralajmëruan se ndryshimet mund të lejonin politikanët të ushtronin ndikim më të madh mbi gjyqësorin, ashtu siç ka bërë në vendin e tij homologu hungarez i Melonit, Viktor Orbán, shkruan FT.