Vendosni fjalën kyçe....

PS ristrukturon drejtuesit në qarqe, Balla merr Tiranën, Spiropali largohet



Partia Socialiste ka miratuar ndryshime të rëndësishme në drejtimin politik të qarqeve gjatë Asamblesë së zhvilluar në Gjirin e Lalzit, në funksion të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2027.

Ndryshimi më i spikatur është në qarkun e Tiranës, ku Taulant Balla merr drejtimin politik, duke zëvendësuar Elisa Spiropalin, së cilës i reduktohen ndjeshëm përgjegjësitë në parti.

Në të njëjtën kohë, Belinda Balluku rikonfirmohet në Fier, ndërsa disa qarqe në veri u besohen figurave të reja, përfshirë ministra të sapoemëruar. Enea Karakaçi merr drejtimin e Shkodrës, ndërsa Ermal Nufi atë të Lezhës.

Ristrukturimi vjen pas analizës së rezultateve zgjedhore, ku Tirana dhe Kukësi rezultojnë si qarqet e vetme me rënie të mbështetjes për socialistët. Kryeministri Edi Rama e lidhi rezultatin në Tiranë edhe me arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj në fillim të vitit 2025.

Në kuadër të ndryshimeve, Blendi Klosi kalon në drejtimin e qarkut Durrës, ndërsa Ulsi Manja rikthehet në Dibër. Ndërkohë, disa drejtues konfirmohen në pozicionet e tyre, si Niko Peleshi në Korçë, Bledi Çuçi në Vlorë dhe Mirela Kumbaro në Gjirokastër.

Asambleja miratoi gjithashtu nisjen e një fushate për zgjerimin e partisë në diasporë, me regjistrime që do të zhvillohen nga 30 marsi deri më 30 shtator në disa vende, përfshirë Italinë, SHBA-në dhe Gjermaninë.

Kryeministri Rama theksoi se objektivi kryesor mbetet forcimi i organizimit dhe rritja e përfaqësimit, veçanërisht të grave, të cilat aktualisht përbëjnë vetëm 34% të anëtarësisë në parti.