Vendosni fjalën kyçe....

Protesta në Tiranë/ Berisha dhe mbështetësit tentojnë t’i afrohen Policisë, tensione në ish-Bllok


Protesta e opozitës në Tiranë ka vijuar me lëvizje të vazhdueshme dhe përplasje sporadike, ndërsa protestuesit, mes tyre edhe kreu i PD-së, Sali Berisha, janë drejtuar drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Ata janë ndalur nga forcat e rendit, të cilat kishin vendosur gardhe metalike për të bllokuar afrimin dhe për të parandaluar incidente të mundshme.

Më pas, turma është zhvendosur drejt zonës së ish-Bllokut, e ndjekur nga forca policore dhe autobotë me ujë. Gjatë marshimit, protestuesit mbanin flakadanë dhe kanë hedhur një molotov në drejtim të një stacioni urban.

Protestuesit kanë shmangur zonën e njohur si Vila 31 dhe kanë vijuar lëvizjen në zonën e Sheshit Wilson dhe rrugë të tjera përreth ish-Bllokut, duke brohoritur thirrje kundër kryeministrit Edi Rama.

Situata mbetet e tensionuar në disa zona të kryeqytetit, ndërsa forcat e policisë vijojnë të monitorojnë dhe kontrollojnë lëvizjet e protestuesve për të shmangur përshkallëzim të mëtejshëm.