
Gjyqësori i Kosovës ka hapur një muze të ri, ku paraqitet historia e sistemit të drejtësisë ndër vite, përmes dokumenteve, artefakteve dhe dëshmive të rralla, përcjell RTK.
Në hyrje të tij ekspozohet toga e ish-kryetarit të Gjykatës Supreme, Rexhep Haxhimusa, si simbol i figurës së gjyqtarit model dhe integritetit profesional. Ekspozita përfshin periudha të vështira të gjyqësorit, nga largimet masive të viteve ‘90 deri te përpjekjet për rindërtim pas luftës, si dhe dokumente që datojnë nga vitet 1940, përfshirë dekrete, protokolle dhe testamente të vjetra. Muzeu është konceptuar nga ish-kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, i cili thekson rëndësinë e ruajtjes së historisë së sistemit të drejtësisë dhe sfidave që e kanë shoqëruar atë ndër dekada.
“Është tentuar që brenda kësaj salle të vogël të paraqesim për publikun historinë e gjyqësorit të Kosovës. Është tentuar që të paraqiten periudhat mes dy luftërave botërore, periudha pas Luftës së Dytë Botërore, deri në vitet 1990 dhe më pas deri në vitin 2000. Ajo që është evidente është se ka materiale deri në 100 vite të vjetra që ekspozohen në këtë muze, të cilat tregojnë edhe për bashkëjetesën në vendin tonë. Duhet përmendur edhe e drejta zakonore, e cila ka pasur rëndësi të veçantë në të gjitha periudhat, krahas sistemeve formale, përfshirë edhe periudhën e Perandorisë Osmane dhe atë mes dy luftërave botërore”, tha Albert Zogaj, gjyqtar në Gjykatën Supreme.
Pjesë e muzeut janë edhe dokumente që dëshmojnë emërimin e gjyqtarëve të Kosovës nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë gjatë viteve 1942-1944, si dhe të dhëna për gjyqtarët e shkarkuar në periudhën 1990-1993.
Pjesë e muzeut janë të dhënat e të gjithë gjyqtarëve të shkarkuar në vitet 1990-1993, që realisht tregojnë për një situatë të jashtëzakonshme, por njëkohësisht edhe për sfidën dhe kurajon e atyre njerëzve për të vazhduar punën në periudhën e pasluftës në Kosovë”, shtoi Zogaj.
Një kënd i veçantë i dedikohet rolit të ndërkombëtarëve, duke reflektuar mbështetjen dhe investimet e Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të tjerë në zhvillimin e sistemit të drejtësisë. vendosur në Pallatin e Drejtësisë, brenda objektit të Gjykatës Supreme, muzeu synon të shërbejë si hapësirë edukative dhe informuese për publikun, duke ofruar vizita për nxënës, studiues dhe vizitorë të huaj, si një pasqyrë e zhvillimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë.