
Policia e Lushnjës ka parandaluar një ngjarje që mund të kishte pasoja të rënda, pasi gjeti një armë zjarri në një lokal të frekuentuar nga të rinjtë në lagjen “Xhevdet Nepravishta”.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrja erdhi pas informacioneve operative se një shtetas lëvizte i armatosur në qytet. Gjatë kontrollit në ambientet e bar-kafesë, efektivët zbuluan një pistoletë me municion luftarak të fshehur në xhepin e një xhupi, të lënë mbi një karrige pranë tavolinës ku ndodheshin disa të rinj.
Nga veprimet hetimore u identifikua si posedues i armës shtetasi M. S., 21 vjeç, i cili ishte larguar pak minuta para mbërritjes së Policisë dhe është shpallur në kërkim.
Ndërkohë, 5 të rinj të tjerë që ndodheshin në të njëjtën tavolinë u arrestuan për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, pasi nuk treguan pronësinë e armës dhe penguan veprimet e Policisë.
Gjatë kontrollit në banesën e 21-vjeçarit, u gjet edhe municion luftarak, duke forcuar dyshimet për armëmbajtje pa leje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit, municioni luftarak, një automjet dhe 5 aparate celularë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit, ndërsa vijon puna për kapjen e të riut në kërkim.