
Një zjarr në një fabrikë të pjesëve të makinave në Daejeon, Koreja e Jugut, të premten ka shkaktuar vdekjen e të paktën 14 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.
Pati rreth 60 të plagosur nga zjarri në fabrikën trekatëshe. Ministria e Brendshme dhe e Sigurisë tha se disa prej të lënduarve kishin thithur tym, ndërsa disa u lënduan kur u hodhën nga ndërtesa. Ajo njoftoi se 25 persona ishin të plagosur rëndë, por nuk specifikoi nëse ndonjë prej tyre ishte në rrezik për jetën. Në momentin kur shpërtheu zjarri, brenda ndërtesës ndodheshin 170 persona.
Nam Deuk-woo, shefi i zjarrfikësve të rrethit Daedeok të qytetit, tha se pothuajse të gjitha trupat u gjetën brenda një hapësire në katin e tretë që ishte përdorur si dhomë zhveshjeje për palestër, raportoi The New York Times. Disa trupa ishin djegur aq keq sa do të duhen teste të ADN-së për t’i identifikuar ata.
Nam tha se punonjësit nxorën më shumë se 100 kilogramë (220 paund) kimikate me reaktivitet të lartë nga vendi i ngjarjes përpara se zjarrfikësit të mund të hidhnin ujë mbi zjarrin. Disa dëshmitarë kanë raportuar se pati një shpërthim kur filloi zjarri.
Të gjithë personat që rezultonin të zhdukur janë gjetur tashmë, raportoi The Guardian.
Zyrtarët thanë se janë ende duke hetuar shkakun e zjarrit. Zjarrfikësit deklaruan se nuk mundën të hynin në strukturë më herët nga frika e shembjes. Ata përdorën robotë të telekomanduar të premten për të ftohur strukturën dhe për të kryer një inspektim sigurie përpara se të ishin në gjendje të hynin dhe të kërkonin për punëtorët e zhdukur.
Daejeon ndodhet në Korenë e Jugut qendrore, shkruan Upi.