
Në fjalën e tij para Asamblesë së Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama theksoi nevojën për të vijuar me ritëm të lartë Reformën Territoriale, duke përfshirë dhe opinionin e qytetarëve në çdo zonë të vendit.
Ai shtoi se reforma duhet të komunikohet qartë me publikun për të parandaluar shpifjet dhe keqinformimin.
“Në radhë të parë ta diskutojmë ne me njerëzit në territor, sepse ka shumë nevojë për këtë reformë, por ka edhe shumë fjalë dhe fantazira dhe shumë shpifje që kanë nisur të qarkullojnë dhe do vazhdojnë të shtohen për t’iu kundërvënë reformës, ndërkohë që ne kemi të domosdoshme këtë reformë për 1001 arsye që i duhet bërë me dije publikut.
Po ashtu edhe për reformën zgjedhore kemi nisur nga puna dhe duhet ta adresojmë patjetër rekomandimet e OSBE-ODIHR, por mbi të gjitha duhet ta bëjmë depolitizimin e plotë të administratës zgjedhore, sepse është një nga pikat më të turpshme për një Shqipëri që bëhet gati të hyjë në BE.
Mbase ka mbetur i vetmi vend në Europë me administratë politike të komisioneve zgjedhore, duhet të bëjmë çmos që rezultati të dalë më i shpejtë.
Duke bërë këto dy gjëra, padyshim japim përgjigje shumë shqetësimeve që krijohen artificialisht”,- tha Rama.
Rama u shpreh se shqiptarët duhet të informohen në mënyrë sa më të qartë dhe kapilare për procesin e integrimit europian të vendit.
Ai deklaroi se Shqipëria nuk po ecën me ritmin për mbylljen e kapitullit të sigurisë ushqimore.
“Është shumë e rëndësishme, sikur ka dalë nga mbledhjet e grupit parlamentar, të rrisim në mënyrë të ndjeshme informimin dhe koordinimin e grupit tonë parlamentar për të gjithë procesin e negociatave dhe bashkë me çuarjen e detyrave të përmbushura, të nxisim përçjelljen e gjithë këtij materiali në territor.
Nuk kam parasysh të mbushim njerëzit me letra ku shkruhet kaq, kam parasysh që njerëzit duhet t’i mbajmë sa më të informuar.
Një shembull, BE ka çuar një mision monitorimi të një sërë pikash ku prodhohet dhe përpunohet qumështi apo mishi, dhe rezultatet janë larg rezultateve të qenit në një vend ku mund të mbyllet kapitulli për sigurinë ushqimore.
Kemi nevojë të forcojmë Kuvendin në aspektin e teknologjisë, Niko e ka marrë përsipër detyrën, por duhet të ecim shpejt se, pavarësisht se sulmi kibernetik mbi Kuvendin nuk veri ndonjë dëm, gjithsesi fakti që Kuvendi nuk është në sistemin tonë kombëtar të mbrojtjes kibernetike, duhet krijuar menjëherë.