Vendosni fjalën kyçe....

Trump po dërgon mijëra trupa tokësore drejt Iranit


Administrata e Donald Trump po përshpejton përgatitjet për një përdorim të mundshëm të trupave tokësore amerikane në Iran, sipas një raporti të ri nga CBS News, edhe pse presidenti këmbëngul publikisht se nuk planifikon një ndërhyrje të tillë.

Duke cituar disa burime të informuara mbi diskutimet, CBS raportoi se zyrtarë të Pentagon kanë hartuar plane të detajuara për një dislokim të mundshëm tokësor, ndërsa komandantë të lartë ushtarakë kanë paraqitur kërkesa konkrete për të përgatitur këtë opsion, ndërsa Trump po shqyrton hapat e ardhshëm në luftën SHBA–Izrael kundër Iranit.

Sipas raportit, Trump ka konsideruar mundësinë e pozicionimit të forcave tokësore në rajon, megjithëse mbetet e paqartë në çfarë rrethanash ai do të autorizonte hyrjen e trupave amerikane në territorin iranian.

I pyetur në Zyrën Ovale për këtë mundësi, Trump u shpreh: “Jo, nuk po dërgoj trupa askund,” por shtoi: “Edhe sikur ta bëja, sigurisht që nuk do t’jua thoja.”

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi për CBS se përgatitjet ushtarake nuk nënkuptojnë një vendim përfundimtar. “Është detyrë e Pentagonit të përgatisë opsione për t’i dhënë Komandantit të Përgjithshëm fleksibilitet maksimal. Kjo nuk do të thotë se presidenti ka marrë një vendim,” tha ajo, duke përsëritur se aktualisht nuk ka plane për dërgimin e trupave tokësore.

Raporti shton se zyrtarë ushtarakë kanë zhvilluar takime edhe për mënyrën e trajtimit të mundshëm të ndalimit të ushtarëve iranianë apo forcave paramilitare, në rast se do të vendosej për një ndërhyrje tokësore, përfshirë vendet ku mund të dërgohen të ndaluarit.

Planet përfshijnë njësi të tilla si Global Response Force, Marine Expeditionary Unit dhe elementë të 82nd Airborne Division, të cilat po përgatiten për dislokim në rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme.

Ndërkohë, mijëra marinsa janë tashmë në lëvizje drejt zonës. Sipas CBS, tre anije luftarake dhe rreth 2,200 marinsa nga një njësi ekspedicionare u nisën nga Kalifornia më herët këtë javë. Kjo është njësia e dytë e tillë që dërgohet që nga fillimi i luftës, ndërsa një tjetër, e nisur nga Paqësori, është ende në rrugë drejt rajonit.

Këto lëvizje thellojnë sinjalet se Pentagoni po zgjeron gamën e opsioneve ushtarake për Trump, ndërsa konflikti hyn në javën e tretë dhe rreziku i një përfshirjeje më të gjerë amerikane rritet.

Raporti i ri përforcon indikacionet e mëparshme se Uashingtoni po forcon praninë ushtarake në rajon, duke shmangur njëkohësisht angazhime të qarta publike për një operacion tokësor, shkruan Ynet.

Për momentin, mesazhi zyrtar i administratës mbetet se nuk është marrë asnjë vendim. Megjithatë, shkalla dhe detajimi i përgatitjeve sugjerojnë se opsioni i një ndërhyrjeje tokësore nuk është më thjesht teorik.