Sulmet e Iranit ndaj infrastrukturës energjetike në Katar kanë nxjerrë jashtë funksioni rreth 17% të kapacitetit të eksportit të gazit natyror të lëngshëm (LNG), me pasoja që mund të zgjasin deri në pesë vite.
Drejtori ekzekutiv i QatarEnergy, Saad al-Kaabi, bëri të ditur se dy nga 14 linjat e prodhimit të LNG dhe një impiant për përpunimin e gazit janë dëmtuar rëndë nga sulmet, duke nxjerrë jashtë funksioni rreth 12.8 milionë tonë LNG në vit.
Sipas tij, kjo situatë pritet të shkaktojë humbje prej rreth 20 miliardë dollarësh në vit dhe të ndikojë drejtpërdrejt furnizimin me energji në Europë dhe Azi.
“Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që Katari do të përballej me një sulm të tillë, sidomos nga një vend mysliman, gjatë muajit të Ramazanit”, u shpreh ai.
Për shkak të dëmtimeve, Katarit do t’i duhet të shpallë “forcë madhore” për kontratat afatgjata të furnizimit me LNG, që prekin vende si Italia, Belgjika, Koreja e Jugut dhe Kina.
Ndikimi shtrihet edhe përtej gazit të lëngshëm. Eksportet e kondensatit pritet të bien me rreth 24%, gazi i lëngshëm i naftës (LPG) me 13%, heliumi me 14%, ndërsa nafta e lehtë (naphtha) dhe squfuri me rreth 6%.
Në projektet e dëmtuara janë të përfshira edhe kompani ndërkombëtare si ExxonMobil dhe Shell, çka e bën ndikimin edhe më të gjerë në tregjet globale.
Al-Kaabi paralajmëroi se për rifillimin e prodhimit është e domosdoshme ndalimi i luftimeve, ndërsa theksoi se dëmet e shkaktuara mund ta kthejnë rajonin 10 deri në 20 vite pas në zhvillimin energjetik.
Ai bëri thirrje që infrastruktura e naftës dhe gazit të mos bëhet objekt sulmesh në konflikt, duke theksuar se përshkallëzimi aktual po rrezikon seriozisht stabilitetin ekonomik global.
