Vendosni fjalën kyçe....

Kërcënimet e Vuçiç, ministri Nufi: S’ka vend për panik, Shqipëria në koordinim me NATO-n


Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se nuk ka vend për panik pas deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vučić lidhur me bashkëpunimin ushtarak mes Shqipëri, Kosovë dhe Kroaci.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Nufi theksoi se Shqipëria vepron në përputhje të plotë me detyrimet ndaj NATO dhe se siguria e vendit është e garantuar nga kjo aleancë.

“Shqipëria politikat e strategjisë i ka në përputhje me aleancën ku bën pjesë, NATO-n, më e forta në botë. E gjithë doktrina dhe përgatitja është në përputhje me NATO-n”, u shpreh ministri.

Ai shtoi se edhe siguria e Kosovës mbështetet nga prania e forcave ndërkombëtare, duke iu referuar KFOR, e cila garanton stabilitetin në rajon.

Sipas Nufit, deklaratat dhe tensionet që vijnë nga rajoni duhet të interpretohen me kujdes, pasi Shqipëria ndjek një qasje të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.

“Shqetësimet që mund të perceptohen përmes mediave apo replikave në rajon përkthehen në një qasje që është në koordinim me aleancën dhe partnerët; kjo na bën të ndihemi të sigurt”, theksoi ai.