
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi të enjten se Irani nuk ka më aftësinë për të pasuruar uranium apo për të prodhuar raketa balistike, ndërsa Izraeli shënon ditën e 20-të të luftës me Republikën Islamike.
“Pas 20 ditësh, mund t’ju them se Irani nuk ka më aftësi për të pasuruar uranium dhe nuk ka më aftësi për të prodhuar raketa balistike,” tha Netanyahu në një konferencë për shtyp të transmetuar në televizion.
Ai theksoi se fushata ushtarake e Izraelit është përqendruar në tre objektiva kryesore: eliminimin e programit bërthamor të Iranit, çmontimin e programit të raketave balistike dhe krijimin e kushteve që do t’i lejonin popullit iranian “të marrë fatin në duart e veta”.
Netanyahu deklaroi se lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, kishte urdhëruar rifillimin e programeve bërthamore dhe raketore si dhe zhvendosjen e tyre thellë nën tokë.
Sipas tij, Izraeli po punon jo vetëm për të shkatërruar raketat e mbetura — “janë shumë pak”, shtoi ai — por edhe infrastrukturën industriale që mundëson prodhimin e tyre.
Ai shtoi se Izraeli, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, ka arritur “suksese të jashtëzakonshme”, përfshirë eliminimin e drejtuesve më të lartë ushtarakë dhe politikë të Iranit, si dhe komandantëve të rëndësishëm të Islamic Revolutionary Guard Corps dhe forcës paraushtarake Basij.
“Në ditët e fundit kemi eliminuar ministrin e inteligjencës dhe komandantin e Basij-it,” tha Netanyahu.
“Nuk ka rëndësi kush i zëvendëson. Ne do të sigurojmë që mandati i tyre të jetë shumë i shkurtër.”
Sipas tij, Izraeli ka shkatërruar qindra lëshues dhe raketa, duke goditur objektiva iraniane “në ajër, në tokë, nën tokë dhe tani edhe në det”. Ai deklaroi se Izraeli ka shkatërruar flotën iraniane në Detin Kaspik, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë goditur një tjetër flotë iraniane. Megjithatë, Netanyahu pranoi se forcat iraniane vazhdojnë të kryejnë sulme ndaj Izraelit, duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale.
“Është e dhimbshme dhe ka sjellë humbje për ne,” tha ai, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe duke uruar shërim të shpejtë për të plagosurit.
Por ai shtoi se dëmet ndaj Izraelit janë shumë më të vogla nga sa kishte planifikuar Irani, pasi një pjesë e madhe e kapaciteteve të tij u shkatërruan paraprakisht.
Netanyahu deklaroi gjithashtu se Izraeli ka krijuar zona të thella sigurie në Gaza, Siri dhe Liban, duke shtuar se balanca rajonale e fuqisë ka ndryshuar, shkruan Ynet.
“Izraeli është më i fortë se kurrë dhe Irani më i dobët se kurrë,” tha ai.
“Ne e kemi shndërruar Izraelin në një fuqi rajonale dhe, në disa fusha, edhe në një fuqi globale.”
Ai vlerësoi bashkëpunimin me Uashingtonin si të paprecedentë dhe theksoi se ka punuar ngushtë me presidentin Donald Trump.
“Me njërën dorë mbajmë shpatën e Davidit dhe me tjetrën zgjasim dorën e paqes,” u shpreh Netanyahu.
“Kushdo që na afrohet me paqe, do ta përqafojmë. Kushdo që përpiqet të na dëmtojë, do t’ia presim dorën.”
Duke iu drejtuar qytetarëve izraelitë që po përballen me sirena të shpeshta alarmi dhe qëndrime në strehimore, Netanyahu tha se qeveria po punon për të lehtësuar situatën, për të rihapur gradualisht shkollat dhe bizneset dhe për të siguruar kompensim për të prekurit.
“Ju pyesni sa do të zgjasë kjo,” përfundoi ai. “Do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme.”