Ish-deputeti i Partia Demokratike, Ervin Salianji, gjatë një takimi me intelektualë në Tiranë, ngriti shqetësimin për mungesën e zgjedhjeve të brendshme dhe transparente brenda partive politike, si dhe për mundësinë e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
“Pa parti që u nënshtrohen rregullave nuk kemi më demokraci. Politika duket sikur ka qëllim jo pjesëmarrjen e intelektualëve dhe qytetarëve, por dekurajim për të mos marrë pjesë në procese”, tha Salianji, duke shtuar se mungesa e debatit të vërtetë mbi ekonominë dhe administratën publike po e dobëson demokracinë.
Salianji theksoi se “mungesë zgjedhjesh reale si në PS, si në PD, mungesë zgjedhjesh reale të qytetarëve të përfaqësuesve të tyre, pasi kemi një sistem ku zgjedhin më shumë krerët e partive”.
Ai vuri në dukje edhe rolin e SPAK, duke e konsideruar si një instrument për të hapur rrugën drejt një pjesëmarrjeje të re politike përmes luftës kundër korrupsionit në nivele të larta.
“SPAK hapi rrugën për një pjesëmarrje të re politike duke goditur rëndë korrupsionin, që po sjell një ndryshim gradual. Por është në një sulm të vazhdueshëm nga të gjitha palët politike. Duhet t’i jepet ajo që i takon, pasi po u reziston presioneve”, përfundoi Salianji.
