Vendosni fjalën kyçe....

“Konsulencë dhe këshillime” – Dy kompanitë e familjes së Eldi Hoxhës nën dyshimin se ka pastruar paratë e korrupsionit



Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Eldi Hoxha, një person zyrtarisht i pandehur dhe i hetuar për disa vepra penale të rënda, dyshohet se krijoi një rrjet të gjerë kompanish, me qëllimin e vetëm të pastrojë paratë me prejardhje korrupsionin. Gjatë dekadës së fundit, Hoxha ka mbajtur poste të rëndësishme në Bashkinë e Vlorës, KQZ, AKSHI, Doganat e tashmë në bashkinë më të madhe të vendit, teksa me lidhjet politike dhe në gjyqësor, ai ka arritur që të vijojë punën aktuale.

Eldi Hoxha ka dy masa sigurie, ndalim i daljes jashtë shtetit dhe detyrim paraqitje, ndërsa hetimet e SPAK-ut vijojnë, duke qenë se ai është një nga të hetuarit e shumtë të dosjes së kontrabandës së cigareve, gjatë kohës që ishte në postet drejtuese të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Dyshimet e Prokurorisë së Posaçme, apo edhe dokumentet e hulumtuara na Vox News, hedhin dritë mbi tentativat e këtij zyrtari, apo familjarëve të tij, për të krijuar një rrjet kompanish.
Redaksia jonë ka siguruar informacione nga brenda Doganës, sipas së cilës ky individ ka qenë një nga zyrtarët më me influencë, madje edhe në Drejtorinë e Antikorrupsionit, grupi i të cilëve lëvizte çdo gur dhe kishte çdo lidhje me kompanitë e mëdha që sillnin mallra kontrabandë në Shqipëri. Dyshimet janë se, këta zyrtarë kishin tarifa fikse, duke detyruar dhjetëra apo qindra kompani, të paguanin haraçin te vetë këta zyrtarë apo familjarët e tyre. Duke qenë se korrupsioni është sofistikuar, zyrtarët e Doganës, apo edhe vetë Eldi Hoxha, ka hapur kompani këshillimesh ligjore.

“Konsulencë dhe këshillime” - Dy kompanitë e familjes
Vox News ka siguruar informacione, madje edhe të shoqëruara me dokumente, se të afërm të ngushtë të Eldi Hoxhës, kanë hapur kompani, siç është rasti i motrës së tij. Në vitin 2023, në kulmin e “suksesit” të Eldi Hoxhës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doanave, motra e tij, B . Hoxha regjistron një kompani në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Fusha e veprimtarisë është “kryerja e analizave, studimeve të fizibilitetit, projektimit apo shërbimeve të konsulencës në lidhje me projekte të fushave të ndryshme”. Pra, një fushë nga e cila mund të xhirosh miliona lekë apo qindra mijëra euro pa bërë asnjë punë. Mund të këshillosh cilindo dhe ti presësh faturë dhjetëra miliona euro. Një indicie e fortë e SPAK-ut për të faktuar se Eldi Hoxha, nëpërmjet familjarëve të tij, ka pastruar paratë. Mund të verifikohen faturat e këtij nipti se kë ka këshilluar B . Hoxha dhe nëse këta të këshilluar mund të kenë biznese apo fusha që preken drejtpërdrejt nga Doganat.

Shpeshherë këto janë format që, pa bërë asnjë punë, apo pa takuar asnjë person, individët të kryejnë pagesa në NIPT-in që zyrtari ua jep. Dyshimet kanë qenë gjithmonë se me këto skema kemi të bëjmë me pastrim parash, teksa hetimet apo verifikimet e mëvonshme të SPAK-ut apo BKH-së mund të vërtetojnë ose jo këto të dhëna. Në fakt, investigimi i Vox News merr shkas nga një dosje e vetë Prokurorisë së Posaçme, e cila ka vendosur masa sigurie ndaj këtij zyrtari.

“Konsulencë dhe këshillime” - Dy kompanitë e familjes
Nëse do të shohim më tej objektin e NIPTI-t të së motrës do të shohim se janë të shënuara edhe “konsulencë për zhvillimin organizativ të shkollave profesionale, shërbime për përgatitje dokumentacioni”.  Madje në objekt është shkruar se bëhet edhe trajnimi i mentorëve në biznes, trajnimi i stafit në biznes, sistemet e menaxhimit të informatizuar, menaxhim eventesh, marketing etj.

Të gjitha fushat në letër, pa punë fizike, të cilat mund të përfundojnë vetëm me një numër llogarie. Por, paraja lë gjithmonë gjurmë dhe mjafton që të verifikohen këto të dhëna për të dalë në konkluzione të rëndësishme. Jo vetëm e motra ka hapur kompani, por edhe vetë Eldi Hoxha. Vox News ka mësuar se Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, gjatë kohës që ka qenë drejtor i Departamentit Operativ-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ka hapur në QKB një nipt, si person fizik. Një skemë e përdorur pothuajse nga të gjithë drejtorët apo ish-drejtorët e Doganave, për të cilët ka dyshime se, pagesat që merrnin pikërisht nëpërmjet këtyre nipteve, ishin në fakt pjesa e ryshfetit.

Eldi Hoxha e ka pasur këtë nipt për ushtrimin e veprimtarisë në fushën ligjore, këshillime për çështje ligjore. Gjithashtu objekti ishte konsulenca të ndryshme ligjore për shoqëritë tregtare, etj. Cilat kompani apo shoqëri tregtare kanë marrë konsulencën e Eldi Hoxhës? Sa është paguar Eldi nga këto shoqëri? A mos vallë këto shoqëri që i ka këshilluar kanë bërë edhe fatura doganore? Pagesat, nëse ka marrë, a mos janë në fakt ryshfeti apo haraçi? Normalisht, Prokuroria e Posaçme ka në dorë një hetim dhe nëse do t’i shtrijë hetimet edhe te pasuria padyshim që do të gjejë edhe të dhëna të tjera.

“Konsulencë dhe këshillime” - Dy kompanitë e familjes
Vox News denoncoi disa ditë më parë, duke u bazuar në dhjetëra dokumente, se Eldi Hoxha, duke qenë i lidhur me një subjekt të deklarimit të pasurisë, ka dhënë deklarata tepër të dyshimta. Madje, nëse do të bëjmë një kryqëzim informacionesh, nga disa institucione shtetërore, rezulton se familja e tij një herë e deklaron një pasuri të majme, apartament me vlerë 200 mijë euro, ndërkohë që gjatë vendimit për pastërtinë e figurës, ky apartament nuk figuron të jetë kontrolluar.

Fshehje me dashje apo tentativë për t’i hedhur hi syve institucioneve të reja të drejtësisë? Për kronikë, vendimi i institucioneve shtetërore që kontrollojnë njerëzit e drejtësisë (pjesëtaren e familjes së Eldi Hoxhës) është në fund të vitit 2023, ndërkohë që apartamenti i blerë nga familja është në muajin qershor të vitit 2022. Në asnjë rresht, në vendimin e KPK-së nuk janë dhënë detaje për këtë pronë, ndërkohë që në një dokument janë dhënë deklarime se aseti i poseduar ka një sipërfaqe prej 167.33 m2, ku Eldi dhe bashkëshortja e tij kanë 50 % pjesë takuese.

Në atë kohë, sipas dokumenteve të tjera, Eldi Hoxha ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, ku në vitin 2022 ka deklaruar 150 mijë lekë dieta dhe 75 mijë lekë shpërblime. Ai ka deklaruar 1.2 milionë lekë paga, ndërkohë që dyshimet janë mbi afera të tjera në atë institucion, shpeshherë i atakuar dhe i hetuar nga institucione të tjera. Ku i bëri lekët?

“Konsulencë dhe këshillime” - Dy kompanitë e familjes

“Konsulencë dhe këshillime” - Dy kompanitë e familjes
Vox News ka hulumtuar dosjen e Prokurorisë së Posaçme për Eldi Hoxhën, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurisë ndalim i largimit nga territori i Republikës së Shqipërisë. Gjykata e Posaçme ka zbatuar masën e sigurisë më 28 maj 2025, ditën kur ai është emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës. Para muajit maj 2025, Hoxha ka qenë në postin e Drejtorit të Departamentit Operativ-Hetimor prej muajit nëntor 2020. Pikërisht gjatë kësaj detyre, ka lejuar në masë kontrabandën e cigareve, duke i shkaktuar një dëm shtetit në vlerën e 53 milionë eurove.

Ai është denoncuar disa herë për shkelje të rënda, duke favorizuar biznese të ndryshme. Hoxha është pjesë e një grupi kriminal që lejuan kontrabandën e një sasie të madhe cigaresh. Skema ishte e tillë që cigaret transportoheshin nga Shqipëria drejt vendeve të BE, pa paguar më parë doganën. Anëtarët e grupit, ndër ta edhe Eldi Hoxha, akuzohen për veprat penale të kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe grupi i strukturuar kriminal. Gjithashtu, grupi akuzohet edhe për kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Vox News.