
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka shprehur shqetësim nga Brukseli për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ai akuzoi qeverinë e Ramës se ka dështuar në përmbushjen e standardeve demokratike dhe nuk ka garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.
Gjatë një takimi në selinë qendrore të Partisë Popullore Evropiane, Këlliçi vuri në dukje se Shqipëria ka probleme të theksuara me proceset zgjedhore, duke përfshirë votimin e 11 majit 2025, të cilin ai e cilësoi si një farsë elektorale.
Deputeti theksoi se shkëmbimi i përvojave me partnerët evropianë mbetet i rëndësishëm për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe për avancimin drejt një Europe më të fortë dhe të bashkuar. Megjithatë, sipas tij, qeveria e Ramës ka prioritizuar mbrojtjen e të korruptuarve dhe krimit të organizuar mbi rrugëtimin evropian të vendit.
Në përfundim, Këlliçi deklaroi se qeveria e Ramës ka “ngelur në klasë” në testin kritik “Balluku”, duke dështuar të përmbushë kriteret kyçe për integrimin në Bashkimin Evropian.