Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli vret ministrin iranian të Inteligjencës, Esmaeil Khatib


Ushtria izraelite, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, ka vrarë ministrin iranian të Inteligjencës, Esmaeil Khatib, në një operacion të zhvilluar gjatë natës së së martës, një lajm që u konfirmua zyrtarisht të mërkurën nga autoritetet izraelite.

Konfirmimi erdhi nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, si dhe nga vetë ushtria, ndërsa më herët burime të ndryshme kishin dhënë sinjale kontradiktore për suksesin e operacionit, përcjell JP.

Vrasja e Khatibit konsiderohet një nga goditjet më të rëndësishme ndaj strukturave shtetërore iraniane që nga fillimi i konfliktit, pas eliminimit të figurave të tjera të larta, përfshirë Ali Larijani dhe drejtues të forcave Basij vetëm pak ditë më parë.

Khatib mbante postin e ministrit të Inteligjencës që nga gushti i vitit 2021, kur në pushtet erdhi ish-presidenti Ebrahim Raisi. Edhe pas vdekjes së Raisit në një aksident me helikopter, pasuesi i tij, Masoud Pezeshkian, vendosi ta mbante Khatib në detyrë, një vendim i pazakontë duke pasur parasysh praktikën e ndryshimit të ministrave me ardhjen e një presidenti të ri.

Khatib konsiderohej një figurë e linjës së ashpër dhe një aleat i afërt i liderit suprem Ali Khamenei, duke shërbyer si një kundërpeshë ndaj qëndrimeve më të moderuara të presidentit Pezeshkian.

Gjatë viteve të fundit, Ministria e Inteligjencës iraniane ka pasur rivalitet me Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), i cili ka zgjeruar ndikimin e tij në fushën e inteligjencës. Vetë Khatib kishte një karrierë të gjatë në strukturat e inteligjencës së IRGC-së përpara se të merrte drejtimin e ministrisë.

Sipas vlerësimeve të burimeve perëndimore, përfshirë CIA dhe Mossad, ministria iraniane e inteligjencës është konsideruar tradicionalisht më profesionale dhe më e avancuar në operacione, krahasuar me strukturat paralele të IRGC-së.