Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit, Izraeli: Rezolutë historike dhe dëshmi e qartë morale


Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë të martë me 79 vota pro dhe një abstenim rezolutën që shpall Republikën Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit, në një vendim që vjen në kontekstin e zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.

Deputeti Redi Muçi ishte i vetmi që abstenoi gjatë votimit.

Pas këtij vendimi, ka ardhur edhe reagimi nga Izraeli, i cili e ka cilësuar rezolutën si historike dhe me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme të Shqipërisë.

Në reagimin zyrtar thuhet:

“Vlerësoj kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe Kuvendin e Shqipërisë për rezolutën historike të miratuar sot, duke e shpallur Republikën Islamike të Iranit një shtet mbështetës të terrorizmit. Sipas fjalëve të rezolutës: Terrorizmi në të gjitha format e tij përbën një nga kërcënimet më serioze për shoqëritë demokratike. Ky është një tjetër demonstrim i dimensionit të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë.”

Miratimi i kësaj rezolute pritet të ketë ndikim në qëndrimin diplomatik të Shqipërisë në raport me zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht në një periudhë tensionesh të larta në rajonin e Lindjes së Mesme.