
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, u bëri thirrje SHBA-së dhe Izraelit të martën që t’i japin fund luftës së tyre me Iranin dhe tha se BE-ja po këshillohej me qeveritë në Lindjen e Mesme se si t’i jepet fund konfliktit.
Në një intervistë me Reuters në Bruksel, Kallas tha gjithashtu se dera nuk ishte e mbyllur për pjesëmarrjen evropiane në përpjekjet për të rikthyer lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, por kjo me shumë gjasa do vinte si pjesë e një zgjidhjeje diplomatike.
Shumë kombe evropiane kanë kundërshtuar thirrjet e presidentit të SHBA-së, Trump, për të marrë pjesë në një mision për lirimin e Ngushticës, një pikë kyçe tranziti për naftën, gazin dhe mallrat e tjera, e cila tani është kryesisht e bllokuar nga Irani.
Udhëheqësit evropianë kanë deklaruar se nuk janë të gatshëm t’i vënë forcat e tyre në rrezik në mes të një lufte që nuk e nisën ata, edhe pse Trump ka paralajmëruar se hezitimi i tyre mund të ketë pasoja negative për aleancën e NATO-s.
Kallas tha se Evropa nuk i kuptonte disa nga veprimet e Shteteve të Bashkuara nën drejtimin e Trump-it apo objektivat e tij në Iran, por ishte mësuar me paparashikueshmërinë e tij dhe ishte bërë “më e qetë” në përgjigjet e saj, shkruan Reuters.